Ndryshime në listën e Kombëtares! Mesfushori i talentuar Endri Çekiçi do t’i bashkohet ditën e sotme në grumbullim kuqezinjve. Pogradecari, i cili mbylli një sezon të shkëlqyer me skuadrën e Olimpja Lubjanës, ishte në listën e pritjes nga trajneri Reja, për 2 sfidat e muajit shtator ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë, teksa do të jetë nën urdhrat e italianit.
Kjo është hera e parë që Çekiçi thirret në Kombëtaren A, teksa në të kaluarën ka qenë pjesë e thuajse të gjitha Kombëtareve të moshave, ku ka spikatur me talentin e tij. Afrimi i 23-vjeçarit, i paralajmërua edhe nga trajneri Reja, ditën e djeshme në konferencën për shtyp.
I pyetur nga “Panorama Sport” në lidhje me mospërfshirjen e talentit pogradecar në listën e parë, Reja u shpreh: “Nuk mund t’i marrë të gjithë lojtarët menjëherë. Këtë herë mora Laçin, herën tjetër mund të marrë Çekiçin. Nëse do të kishim miqësorë, mund t’i kisha provuar të gjithë lojtarët. Preferoj të bazohem në lojtarët që i njoh. Nëse ka surpriza këto ditë, mund edhe të vijë Çekiçi”.