Një mosmarrëveshje e ashpër mes Kinës dhe Republikës Çeke kërcënon të ndikojë në marrëdhëniet midis Evropës dhe Pekinit. Një delegacion nga senati çek vizitoi këtë javë Tajvanin që Kina pretendon se është pjesë e territorit të saj. Kërcënimet me fjalë të forta nga Pekini kundër delegacionit kanë nxitur kritika nga udhëheqësit e BE-së. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, mosmarrëveshja vjen ndërsa BE-ja ka ashpërsuar gjuhën ndaj Kinës.
“Unë jam tajvanez” janë fjalët e shqiptuara në çekisht dhe në gjuhën kineze në parlamentin e Tajvanit nga presidenti i senatit çek këtë javë. Delegacioni i tij u mirëprit ngrohtësisht nga presidentja e Tajvanit.
“Veprimet tona u tregojnë miqve në Evropë dhe në të gjithë botën, qofshin tajvanezë apo çekë, se ne nuk do t’i nënshtrohemi shtypjes, do të flasim me guxim, do të marrim pjesë aktivisht në çështjet ndërkombëtare dhe do të kontribuojmë me aftësitë tona“, tha Presidentja Tsai Ing-wen.
Pekini ka reaguar ndaj vizitës me furi.
“Shpresojmë që pala çeke të njohë dëmin serioz të shkaktuar nga veprimet e presidentit të Senatit në marrëdhëniet kino-çeke. Veprimet e tyre nuk do të ndryshojnë aspak faktin se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez”, tha Hua Chunying, Zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze.
Ndërsa ishte në Evropë këtë javë, diplomati i lartë i Kinës Wang Yi paralajmëroi se presidenti i senatit çek do të ‘paguante një çmim të rëndë.’
Komentet e tij u dënuan në mbarë Evropën, vërejnë analistët.
“Ne po shohim një qeveri kineze e cila është me më shumë forcë, nëse jo plotësisht agresive në qasjen e saj dhe që po ndryshon mendimet në Evropë“, thotë Steve Tsang, drejtor i SOAS China Institute në Universitetin e Londrës.
Popullsia çeke është veçanërisht e ndjeshme ndaj kërcënimeve nga një fuqi e huaj, thotë analisti i Kinës, Filip Jirous.
“Është një lloj pjese e historisë çeke që ishte gjithmonë një fuqi e huaj që diktonte disi atë që bëjmë ne. Padyshim, ishte Gjermania, ose ishte Rusia në të kaluarën, dhe tani keni Kinën“, thotë zoti Jirous.
Marrëdhëniet nuk ishin gjithmonë të këqija. Në 2015, Republika Çeke mirëpriti Presidentin Kinez Xi Jinping në Pragë – me një premtim se vendi do të bëhej porta hyrëse për investimet kineze në Evropë.
“Ana ekonomike e gjërave që u premtuan nuk erdhi kurrë dhe, në fund, unë do të thoja shumë njerëz nën nivelin e lartë të politikës ndiheshin të pakënaqur me atë që po ndodhte“, thotë zoti Jirous.
Anketimet e opinionit tregojnë se publiku çek është zhvendosur kundër Kinës – nxitur nga një seri skandalesh – përfshirë pagesa sekrete të bëra nga qeveria kineze për stafin në Universitetin Charles të Pragës.
Evropa gjithashtu po e forcon gjuhën e saj. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell e përshkroi Kinën në një artikull të fundit në gazetë si një ‘perandori të re’ që po ‘dëmtonte normat ndërkombëtare’.
“Ekziston një forcim i përgjithshëm i qëndrimeve brenda BE-së ndaj Kinës. Ky ngurtësim është kryesisht një përgjigje ndaj diplomacisë së tipit ‘ujku luftëtar’ të Kinës, qoftë për krizën e Covid-19 ose për shkak të ngjarjeve në Hong Kong, ose në Xinjiang (provincë kundër popullsisë Uighur), ose për Tibetin; ose kufijtë Sino-Indianë dhe Detin e Kinës Jugore”, thotë zoti Tsang.
E përfshirë në një luftë të ashpër tregtare me Shtetet e Bashkuara, analistët thonë se Kina heziton të përkeqësojë marrëdhëniet me Evropën. Por pavarësia e Tajvanit prek nervat më të ndjeshëm në Pekin – dhe ende mund të ketë pasoja të tjera nga vizita e delegacionit çek.(VOA)