Novak Xhokoviç e ka paguar shtren jtë veprimin e bërë në ndeshjen e 1/8-ave në turneun “US Open”. Tenisti serb, i cili u skualifikua nga kompeticioni, pasi goditi me top gjyqtaren e linjës, është gjobitur nga organizatorët e eventit amerikan me 10 mijë dollarë për “sjellje antisportive”, por nuk mbaron këtu, pasi dëmi ekonomik për Xhokoviçin do të jetë shumë herë më i madh, sepse me skualifikimin serbi do të humbasë edhe 250 mijë dollar të tjerë, të cilat i kishte arkëtuar në sfidat e këtij turneu.
Kështu, topi i goditur në drejtim të gjyqtares i ka kushtuar numrit një të botës plot 260 mijë dollarë. Megjithatë, kjo shumë nuk është asgjë në krahasim me fitimet që lojtari ka grumbulluar gjatë karrierës së tij në tenis, pasi arkëtimet gjithsej për Xhokoviçin janë afërsisht 144 milionë dollarë. Tashmë eventi i radhës ku do të marrë pjesë 33-vjeçari nga Beogradi do të jetë turneu ndërkombëtar i Italisë, që do të nisë më 14 shtator në Romë.
GJYQTARJA KËRCËNOHET ME JETË
Skualifikimi i tenistit Novak Xhokoviç nga “US Open” nuk është pritur mirë nga tifozët serbë, të cilët kanë shpërthyer në rrjetet sociale kundër gjyqtares Laura Klark. Kjo ka ndodhur pasi disa media serbe bënë publike llogarinë e arbitres në “Instagram”. Tifozët, madje, kanë shkuar deri aty sa e kanë kërcënuar me vdekje arbitren.
“Shumë shpejt do t’i bashkohesh djalit”, shkruajnë ekstremistët serbë. Kujtojmë që arbitres në vitin 2008 i ka vdekur i biri në një aksident tragjik me biçikletë. Gjithashtu, arbitren e kanë akuzuar si një tifoze të Rafael Nadalit apo të Roxher Federerit, duke e sulmuar se e gjithë ajo që ndodhi ishte një inskenim i saj. Urrejtja e tyre ka shkuar deri aty sa kanë hapur edhe profile false dhe fyese me emrin Laura Klark. Kujtojmë se Xhokoviç ka kërkuar publikisht falje për incidentin e ndodhur në “US Open”, duke e pranuar gabimin e bërë.