Duhej të ishte një takim i shpejtë, nga ato që zgjasin vetëm pak minuta për t’ia shpërndarë më pas montazhierëve në televizonet kryesore, por përballja me një prej studentëve të Lëvizjes për Universitetin në zyrën e kryebashkiakut të Tiranës ka nxjerrë nga binarët të gjithë fushatën e Partisë Socialiste në Tiranë. Fjalët e studentit, që ia numëroi një më një dështimet në arsimin e lartë kryebashkiakut, janë shndërruar në lajtmotivin e takimeve paraelektorale të Partisë Socialiste në Tiranë që drejtohet nga Erion Veliaj.
Në fakt, për pak minuta, Veliaj e pa veten keq. Aq keq sa ka mbetur i bllokuar në atë moment turpërimi, duke lënë në vendnumëro këto ditë fushatën e Partisë Socialiste të Tiranës.
Të enjten, tek Amfiteatri tek Parku i Liqenit dhe të premten, në takimin me drejtorët e shkollave, Veliaj përsëriti të njëjtin refren, me të cilin sulmon studentin, që i doli përballë dhe e la pa tekst bash në kolltukun e kryebashkiakut.
Episodi zgjati pak minuta, por mjaftoi për ta nxjerrë nga faza.
Biseda nxorri në pah nivelin e ulët të kryebashkiakut, i cili u zbyth para disa të vërtetave thënë thjesht dhe që ia rrëzojnë klishetë bajate për sukseset e reformave të qeverisë, të paktën për arsimin. Duhet thënë se Veliaj pati përballë një student jo thjesht të revoltuar, por edhe shpuzë nga gjuha flakë për flakë që përdori në takim.
Për kronologji, (per te pare videon kliko ketu) ndërsa studenti i Lëvizjes për Universitetin i thotë që Karta e Studentit është dështim, Veliaj shqetësohet se po filmohet, megjithëse i kishte ftuar vetë të rinjtë në zyrë. Kur Kryetari i Bashkisë i thotë se ai “nuk është naiv”, studenti i përgjigjet se ai “është naiv dhe cinik”. Kur studenti i thotë se nga Karta e Studentit nuk ka ulje në librari, Veliaj i përgjigjet se libraritë janë private. Kur Veliaj tenton ta qetësoje duke e quajtur takimin “miqësor”, studenti i thotë se takimi është “shumë armiqësor”. Kur studenti i thotë se ende nuk ka Abone Studenti për të gjithë, Veliaj pranon dhe thotë vetëm “e di, e di”. Kur Veliaj e quan “miku im”, studenti i kërkon të distancohet dhe e qartëson “nuk je miku im fare”. Më pas, i riu i kujton premtimin se nuk do ta betonizonte Tiranën dhe përgjegjësinë për vdekjen e Ardit Gjoklajt, të cilat Veliaj i quan “thashetheme”. Në vazhdim, aktivisti i kujton se Karta e Studentit nuk përballon asgjë “asnjë kafe falas” dhe Veliaj përgjithëson duke i thënë se “jeta e studentit nuk është kafe falas”. Në përmendjen e kafes, kryebashkiaku gjen shpëtim në lojën e fjalëve dhe ndalet, për t’i thënë se “jeta e studentit nuk është kafe dhe në të gjitha vendet e botës, kafja nuk është falas”. Fjalët e mëtejshme nga ana e djalit që nuk është identifikuar vazhdojnë me një seri faktesh. Sipas tij “ka markete në vendet e tjera të botës për oferta që rrjedhin nga Karta e Studentit”, se “librat në vendet e tjera janë falas”, ndërsa në Shqipëri paguhen “tarifa stratosferike” dhe se ai nuk i ka 1 milion e gjysëm lekë të paguajë për master dhe se janë “12 mijë abone për 100 mijë studentë”.
Në fund të takimit, Veliaj duket i dorëzuar dhe përsërit se “nuk i vendos Bashkia” “Bashkia nuk ka asgjë” “bashkia nuk jep kafe falas” dhe se “unë po të ftoj në shtëpi dhe se kjo nuk është etike”.
Përballja dëshmon se mjaftojnë pak minuta jashtë regjisë së propagandës dhe Veliaj ka vetëm një zgjidhje: badigardët.
E gjitha është pasojë e filozofisë se fasada është gjithçka dhe se imazhi më i mirë është ai i krijuar në inkubator. Vetëm se çdo kontakt me realitetin dhe argumentat kundër, e nxjerrin kryebashkiakun zbuluar.
Në vazhdën e të njëjtës filozofi, ka ardhur edhe përgjigjia. Asnjë argument, asnjë përgënjeshtrim me fakte apo prova, asnjë bilanc real. Vetëm propagandë, personalizim dhe ofendime. Madje duke i bërë bisht kërkesës së llogarisë, kryebashkiaku është ndalur tek togfjalëshi “kafe falas”, që kinse pretendohet nga studentët.
“Ka të rinj të forcave të tjera politike qëbesojnë se një birrë në Jalë është aspirata më e madhe që mund të kesh në jetë. Sot isha me Anisën me nënkryetaren, me një grup të rinjsh, ishin disa prej tyre, që vijnë nga një forcë tjetër politike, i cili po më xhironte, bënte një kamer të fshehtë me lali erin, e thoshte “si s’të vjen turp, kafja e studentit nuk ta jep kafen falas dhe rregullimin e makinës tek mekaniku”. Ka njerëz që e kanë ambicien tek një birrë apo një kafe falas, por ambicia e të rinjve socialiste është puna, jo qyli, është talenti e jo nepotizmi”, ishin fjalët e Veliajt në aktivitetin e FRESSH.
Të njëjtin refren të “kafes falas” e përcolli edhe me një takim me drejtorët e shkollave. “Me drejtorët e gjimnazeve për fillimin e vitit të ri shkollor. Të rinjtë e Tiranës e refuzojnë qylin e një birre apo kafeje falas , sepse kanë zgjedhur të mësojnë e punojnë” ishte diçitura që shoqëronte videon e takimit në rrjetet sociale.
Ajo që ka ndodhur është se fushata e Partisë Socialiste në Tiranë, për pak ditë është shfokusuar dhe e ka zhvendosur objektivin e saj nga promovimi i punëve dhe i ndonjë kandidati potencial për deputet, tek pastrimi i imazhit të kryebashkiakut nga zënka me një student, që e bëri të flasë me vete. Ky është rasti i disatë kur Veliaj i sulet qytetarëve që e kundërshtojnë, nga pozitat komode që i jep kolltuku i shtetit. Kjo është një paturpësi e kryebashkiakut, por kësaj radhe ka edhe një specifikë tjetër.
Pak ditë më parë, Veliaj u zgjodh nga kryeministri Rama si drejtues i fushatës së Tiranës, një post kyç që i jep atij një rol të pazëvëndësueshëm në rezultatin e 25 Prillit. Por në vend të punojë për Ramën të paktën këto ditë, 40 vjeçari po shfaq shenjat e një inatçiu foshnjarak, që nuk ngjan aspak me një politikan të ftohtë që udhëhiqet nga arsyeja dhe ka marrë përsipër të udhëheqë një forcë politike për mandatin e tretë./lapsi.al