Një gazetar meksikan i cili shkruante për krimin në shtetin e dhunshëm Veracruz, u gjet pa kokë të mërkurën, raportoi media lokale, vrasja më e fundit e rëndë e një reporteri në një nga kombet më të rrezikshme të botës për gazetarët.
Trupi i Julio Valdivia, 44 vjeç, i cili ishte specializuar në gazetarinë “nota roja”, gazetari që përqendrohet në krimin dhe dhunën e rëndë, u gjet në komunën e largët të Tezonapa, rreth 100 kilometra nga kryeqyteti i shtetit, Veracruz.
Një anëtar i stafit të gazetës lokale të Valdivia, “Diario El Mundo” në Veracruz tha se fillimisht dyshohej se Valdivia mund të ishte përplasur nga një tren, por kjo u përjashtua nga zyra e prokurorit.
“Valdivia u gjet afër shinave të trenit, u torturua dhe iu pre koka,” tha anëtari i stafit të gazetës, i cili nuk dëshironte të identifikohej.
El Universal dhe disa media të tjera lokale raportuan se Valdivia iu pre koka, vdekja e katërt e gazetarit në Meksikë këtë vit.
Në vitin 2019, rreth gjysma e të gjitha vrasjeve të gazetarëve në të gjithë botën ndodhën në Meksikë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
“Ne e dënojmë vrasjen e Julio Valdivia,” tha qeveria e Veracruz në llogarinë e saj në Tëitter.
Një grup lokal i mbrojtjes së medias i njohur si CEAPP tha në një deklaratë se Valdivia nuk kishte masa shtesë mbrojtje pasi ai nuk kishte njoftuar se përballej me kërcënime ndaj sigurisë së tij. Por grupi kërkoi që autoritetet të zbulonin vrasjen.