Pak ditë pasi deklaroi largimin nga Partia Socialiste dhe angazhimin e ri te Lëvizja Socialiste për Integrim, ish-drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, ka nisur lëvizjet në terren për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Sikundër ne raportuam më herët se ajo do të kandidojë në qarkun Gjirokastër, për shkak të origjinës nga Tepelena, Shehaj ka qenë këtë fundjavë në qytetin e gurtë.
E shoqëruar nga Krenar Kulla, kreu i LSI-së në Gjirokastër, ish-drejtoresha e vlerësuar me cmimin “Blerta e Artë” disa vite më parë, zhvilloi takime të shkurtra me eksponentë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Zyrtarizimi i saj si kandidate e LSI-së në Gjirokastër pritet të bëhet në muajt e ardhshëm.
Në daljen televizive javën e kaluar te Ora News, Shehaj hodhi akuza të ashpra ndaj qeverisë edhe pse ishte promovuar prej Edi Ramës në krye të një institucioni të rëndësishëm.