Raporti i Eurostat, në cilat qytete europiane njerëzit jetojnë më gjatë?

0

Eurostat ka bërë një klasifikim të vendeve se ku jetohet më gjatë në Europë dhe për meshkujt është qyteti i Trentos, femrat jetojnë më gjatë në Spanjë

Magjike, romantike, përrallore dhe e bukur, Trento, qyteti i mrekullueshëm në Italinë e Veriut, renditet në krye të klasifikimit të vendeve se ku njerëzit jetojnë më gjatë në të gjithë Europën.

Trento ka një histori interesante, me takime dhe përplasje – për shekuj me radhë, një qytet autonom, pastaj nën ndikimin e monarkisë së Habsburgëve dhe më pas, italian. Pavarësisht gjithë këtyre, në Trento ka mbizotëruar gjithnjë harmonia, falë marrëdhënies delikate mes natyrës, arkitekturës dhe artit të qytetit.

Atmosfera e qytetit është e mrekullueshme, me Piazza Duomo dhe Basilica San Vigilio, Palazzo Pretorio dhe Torre Civica , pas krahëve të të cilave janë malet e gjelbra të Trentino si sfond. Në Trento, po ashtu ka edhe muze të rëndësishëm, brenda edhe jashtë qytetit, si Muse dhe MART i Rovereto. Pak kilometra më tej, ju do të zhyteni në një natyrë të paprekur, spektakolare jo vetëm për ata që adhurojnë të bëjnë sporte dimërore, por edhe për ata që thjesht duan ta shijojnë duke e soditur.

Trento është qyteti ku jetohet më gjatë – sipas Eurostat, zyra e statistikave e Bashkimit Europian, në Regional Yearbook 2020. Ky është një klasifikim që nxjerr në pah se cilat janë vendet në Kontinentin e Vjetër ku jetohet më mirë dhe vendet ku varfëria dhe problemet sociale e bëjnë cilësinë e jetës të ulët.

Burrat në Trento janë ata që jetojnë më gjatë në Europë (me një jetëgjatësi mesatare 82,7 vjet). Në vend të dytë, meshkujt në Madrid (82,5 vjet), ndjekur nga ata në Bolzano (82,3 vjet). Edhe meshkujt që jetojnë në Umbria dhe Marche (mesatarisht, 82,2 vite) kanë jetëgjatësi mbi mesataren europiane (78,2 vjet).

Lidhur me jetëgjatësinë e grave, statistikat e Eurostat tregojnë se në vend të parë është rajoni i Madridit (88,1 vjet), ndjekur nga Comunidad Foral de Navarra (87,3 vjet), nga Corsica (87,2 vjet), Castilla y León (87,1 vjet) dhe Vendet Baske (87 vjet), krahasuar me një mesatare europiane prej 83,7 vjetësh.

“Në vitin 2018 – lexohet në dokument – 10 rajonet e BE-së me nivelet më të larta të jetëgjatësisë së grave ishin të gjitha në Spanjë apo Francë”. Në të njëjtën kohë, “disa nga nivelet më të larta të jetëgjatësisë së meshkujve u regjistruan në Italinë e Veriut dhe atë Qendrore, me kulmin prej 82,7 vitesh në Provincën Autonome të Trentos”.

Përveç klasifikimit të qyteteve dhe rajoneve ku njerëzit jetojnë më gjatë në Europë, Eurostat bëri edhe renditjen e vendeve ku popullsia është më e cenuar nga varfëria.

Në vend të parë, rajoni i Campania, me 41,4%. Ndjekur nga Sicilia (40,7%), qyteti autonom i Ceuta (38,3%) dhe Extremadura (35,6%) në Spanjë, Rajoni verilindor në Rumani (35,6%) dhe Severozapaden në Bullgari (35,1%).

Artikulli i mëparshëmNjë 32-vjecar në Francë kryen operacione dhe tatuazhe për të ngjarë si një alien
Artikulli i radhës15% e formave të rënda të COVID-19 për shkak të anomalive gjenetike dhe imune