Mediat italiane kanë njoftuar këtë fundjavë për një operacion të madh anti-drogë në portin e Ankona, ku si përfundim është sekuestruar një ngarkesë prej 216.68 kilogramë kokainë.
Ajo ka qenë e ndarë në blloqe dhe e fshehur në një dollap të mbyllur, në një anije tregtare me flamur liberian, ‘Adrienne’, e cila po qëndronte e ankoruar në portin e Ankonës. Ngarkesa ka mbërritur nga Brazili.
Operacioni ishte fryt i një pune të përbashkët mes prokurorëve të Ancona dhe L’Aquila, të cilët koordinuan hetimet me drejtoritë përkatëse të rrethit antimafia.
Në anijen e kontrolluar nga 50 policë dhe hetues, si dhe me ndihmën e njësive të qenve anti-drogë, u arrit të gjendej sasia rekord prej 216.68 kilogramë kokainë e pastër.
Për arsye hetimi ende nuk ka të dhëna se kush janë organizatorët e këtij trafiku të madh të kokainës, por burime të sigurta kanë thënë se pala italiane po kërkon me këtë rast informacione në Shqipëri, për një organizatë shqiptaro-kosovare, e cila dyshohet se qëndron prapa këtij trafiku të madh.