Aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare, Rajmonda Bulku është prekur me koronavirus.
Mesohet se ish-deputetja 62-vjeçare është shtruar në spital, në gjendje të qendrueshme shëndetësore.
Rajmonda Bulku e nisi rrugën e artit që kur ishte nxënëse në vitin e tretë në gjimnaz, më 1976 ajo debutoi në filmin ‘Dimri i fundit’. Pas shkollës së mesme ajo nisi punën si montazhiere në Kinostudio “Shqipëria e Re” e më pas filloi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ku diplomohet në degën e dramës në vitin 1985.
Menjëherë pas diplomimit Rajmonda Bulku u emërua aktore në Teatrin Kombëtar ku ka luajtur shumë role kryesore, por vlen të thuhet se famën ajo e mori përmes roleve në filma.
Me mbi 20 role në filma dhe plot të tjerë në teatër, Rajmonda Bulku është nderuar me disa çmime. Rajmonda Bulku ndërkohë mbahet mend jo vetëm si aktore, por gjithashtu dhe si pjesë e politikës dhe lëvizjes studentore të dhjetorit.