Një e dielë e cmendur në Premier League mbyllet me rezultatin më të papritur: Liverpool kampion i Anglisë e skuadra për tu mundur e këtij sezoni, rrëzohet turpshëm përballë Aston Villa duke humbur 7-2. Shkatërrimi nisi që në minutën e 4 me një gafë skandaloze të Adrian, që zëvendësoi të dëmtuarin Alisson. Portieri i dhuroi Villans golin e parë të Watkins, që më pas dyfishoi në minutën e 22′, ndërsa blerja e re Barkley humbi dy raste të pastra, nga ato që nuk ke mundësi ti humbasësh. Salah shkurtoi diferencën, por Aston Villa i jep përmasa rezultatit me golat e McGinn, Watkins përsëri, Barkley e dygolëshin e Grealish. I kotë goli i 5-2 provizor të Salah.
Përpara Liverpool, ishte Manchester United që u turpërua nga Tottenham, që zhvilloi një ndeshje të madhe, duke fituar 6-1 në Old Trafford. Arsenal e Wolverhampton ngrenë kokën, ndërsa Sheffield United e Fulham humbasin përsëri e mbeten në kuotën zero pikë, në kohën kur West Ham bën goditjen e madhe duke shkuar të fitojnë 3-0 në Leicester.