Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka informuar për rastin e Drenovës ku një polic i burgut tentoi të fusë drogë brenda ambienteve.
Sipas deklaratës, për Hakil Zeren kishte dyshime bindëse dhe me anë të një oepracioni u urdhërua kontroll i tij i imtësishëm dhe ju kapën 22 gram kanabis si dhe 3.8 gram heroinë.
Por nuk u la me kaq. Në banesën e tij në Voskopojë u gjetën gjithashtu 299 gram kanabis, 10 fara kanabis, peshore elektronike.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë u larguar drejtori i këtij burgu duke u zëvendësuar me shefin e sigurisë së lartë.
NJOFTIMI NGA SHKBB
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
MINISTRIA E DREJTËSISË
SHËRBIMI I KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË BURGJE
Data 23.04.2020
Deklaratë për shtyp
Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje, në bashkëpunim me Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Drenovë”, kryen një operacion të mirëkoordinuar për arrestimin e një punonjësi të kësaj IEVP-je për të cilin ka pasur dyshime bindëse mbi aktivitetin e tij.
Pas të dhënave të grumbulluara, u be vlerësimi konkret dhe organizimi i punës, ku më datë 21.04.2020, gjatë ushtrimit të kontrollit fizik të punonjësve të policisë së burgjeve, shtetasit me iniciale H.Z ju kërkua një kontroll edhe më i imtësishëm.
Gjatë kontrollit, në trupin e tij i janë konstatuar dy qese të vogla ku në brendësi të tyrë është gjetur lëndë narkotike e dyshuar si canabis sativa.
Ndërkohë, në pjesë të trupit i janë konstatuar dy qese të tjera, ku në njërën prej tyre u gjend një sasi lënde narkotike e dyshuar si canabis sativa dhe në tjetrën lëndë narkotike e dyshuar si heroinë.
Menjëhere pas këtij konstatimi, në bashkepunim edhe me Policinë e Shtetit, punonjësit H.Z ju krye një kontroll banese në fshatin Voskopoje ku edhe atje u gjet një sasi e konsiderueshme lende narkotike e dyshuar si canabis sativa.
Pas peshimit të bërë në ambjentet e Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Korçë” rezultoi se ishin gjithësej rreth 22 (njëzet e dy ) gram lëndë narkotike e dyshuar si canabis sativa dhe rreth 3.8 (tre pikë tetë ) gram lëndë narkotike e dyshuar si heroinë.
Lenda e dyshur canabis sativa e gjetur ne banesen e shtetasit H.Z në fshatin Voskopojë mbas peshimit rezultoi te ishte 299.4 gram.
Ne banesen e tij u gjet edhe një peshore e vogël elektronike me mbetje lëndë të dyshuar si canabis sativa dhe 10 fara të dyshuara si canabis sativa.
Nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje, u bë arrestimi në flagrancë për shtetasin H.Z për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, te parashikuar nga neni 283/1 dhe 324/a/2 i Kodit Penal.
Materialet procedurale ju dërguan Prokuorisë së Rrethit Korçë, për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, te parashikuar nga neni 283/1 dhe 324/a /2 i Kodit Penal ne ngarkim te shtetasit H.Z.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje, siguron se me përgjegjshmëri të plotë po vijon punën më tej për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.
Ju faleminderit