Gazetari Artan Hoxha deklaroi mbrëmjen e sotme se këtë vit kanabisi ka çmim shumë të lartë, madje më të lartë se në vitet e tjera.
Hoxha tha se në një vend në jug çmimi minimal për një kilogram kanabis ishte 1300 euro.
“Gjëja që bie shumë në sy sivjet, është fakti që kanabisi ka një çmim shumë të lartë, si asnjëherë tjetër. Unë kam rastisur në një vend në jug, minimumi që mund të gjeje kanabis aty ishte 1300 euro kilogrami dhe nëse gjeje cilësi si ajo bima që isha unë, ajo shkon 1600 euro. Fara ishte shumë e mirë. Në varësi të shërbimit që i bën bimës varet edhe sasia”, u shpreh ai në emisionin “Opinion”.
Gazetari investigativ tregoi një bimë prodhon duke filluar nga 200 gramë kanabis, ndërsa zbuloi se bima me të cilën publikoi foto disa ditë më parë mund të kishte deri në 3 kilogramë kanabis.
“Bima bën nga 200 deri në 500 gramë. Këto janë bimë që japing shumë. Ajo që isha unë jepte edhe dy kile për rrënjë, edhe dega e fundit ishte sa krahu. Ato bimë shkonin edhe më shumë se 2 kilogramë, shkonin deri në 3 kilogramë, pasi ishte shumë e shëndetshme bima”, deklaroi Hoxha.