Pas vendimit të qeverisë për të mbajtur me detyrim maskën Lapsi.al ka hulumtuar teoritë shkencore që lidhen me efikasitetin e saj. Ato nënvizojnë 70% e riskut vjen nga stërklat super të vogla, por jo të gjitha bien dakord se zgjidhja është maska.
Deri tani kemi dëgjuar gjithçka. Maskat janë cilësuar fillimisht si të panevojshme, më pas fakultative, më vonë të domosdoshme dhe në fund të detyrueshme. Edhe në Shqipëri, më në fund mbajtja e tyre është bërë me ligj edhe kur dalim jashtë shtëpisë.
Por pas shtatë muajve përballje me pandeminë çfarë thotë shkenca për mbajtjen e maskës?
Nëse dimë me siguri se mbajtja e maskës spitalore (FFP2) redukton ndjeshëm transmetimin e virusit, ka pak të dhëna se çfarë efekti kanë maskat e zakonshme, ka konstatuar Shoqata Franceze e Higjienës Spitalore.
Pozicionet e shkencëtarëve kanë evoluar hap pas hapi duke iu përshtatur njohjes së koronavirusit të ri. Duke u mbështetur në eksperiencën e Sarsit në Honkong në 2003 studiuesit rekomanduan mbulimin e fytyrës. Ideja se maska mbron edhe atë që e mban edhe atë që është përballë tij, u pranua fillimisht gjithandej.
Po cilat janë provat?
Sipas një studimi të përfunduar në gusht të këtij viti dhe të botuar në faqen e internetit të revistës “Nature” rritja e numrit të përjavshëm të vdekjeve për banor janë katër herë më të ulta në zonat ku mbajtja e maskës është normë ose është e rekomanduar nga autoritetet.
Në korrik një studim i kryer në universitetin e Kalifornisë nga studiuesja e sëmundjeve infektive, Monica Gandhi nënvizonte se mbajtja e maskës zvogëlonte dozën e viruesit që përthith mbajtësi i saj dhe kjo gjë mund të ulë ndjeshëm si ashpërsinë e sëmundjes, po ashtu edhe reaksionin inflamator që vjen prej saj.
Për të përcaktuar efikasitetin e maskave është mirë të njihen tre rrugët me të cilat transmetohet Sars-Cov- 2. Ato janë: me anë të stërklave më të mëdha se 10 micron që dalin kur flasim me zë të fortë, teshtijmë apo këndojmë. Me anë të stërklave të vogla që lëshojmë gjatë frymëmarrjes dhe që bëhen të dukshme për syrin kur është ftohtë. Me anë të prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara.
Dihet se larja e shpeshtë e duarve parandalon me 15% transmetimin thotë infektologu Antoine Flahault, drejtor i Institutit të Shëndetësisë së Përgjithshme në Gjenevë. “Stërklat e mëdha që dalin nga goja bien shpejt në tokë në një rreze per 1.5 metrash. Kështu që po nuk të ranë në sy, në gojë apo në hundë, rreziku prej tyre është i vogël. Prandaj problem përbëjnë stërklat e vogla që shpërndahen me frymëmarrjen, ato që i shohim në një formë reje të zbehtë që del nga goja” thekson ai.
Për ta vizualizuar atë që thotë infektologu Antoine Flahault nuk përdor metaforën me të ftohtin, por atë të një reje tymi cigareje që qëndron për disa kohë në ajër, në një mjedis të mbyllur.
I gjithë problemi është se si të filtrohen ato stërkla që janë më të vogla se 10 micron.
Agjensia e Kombëtare e Sigurimi të medikamenteve në Francë ka arritur në përfundimin se maskat e zakonshme, ato që lahen dhe mund të përdoren disa herë, filtrojnë rreth 90 % të stërklave mbi 3 micron. Por ama ka dhe studime të tjera që nuk e konfirmojnë efikasitetin e maskës sepse është shumë e vështirë që të testohet rëndësia e saj në jetën reale. Infektologu Antoine Flahault përdor sërish figurën e tymit të cigares, për të thënë se mbrojtja me maskë është e pamjaftueshme: “Nëse ju jeni në një dhomë është më e mirë që ajo të jetë e ajrosur, me dritare hapur, që të jeni sa më larg duhanpirësit dhe të qëndroni sa më pak aty. E njëjta logjikë funksionon edhe për të shmangur infektimin”. Pra ndonëse mendohet se rreth 70% të infektimeve bëhen nëpërmjet stërklave të vogla të një të sëmuri edhe shkenca nuk ka rënë në një emërues të përbashkët lidhur me efikasitetin e mbajtjes së maskave.
Burimi: “Le Journal du dimanche”/ Pergatiti Lapsi.al
NGA E ENJTJA/ KUR DUHET TË MBAHET MASKA
Barriera mbrojtëse (maska) duhet patur gjithmonë me vete. Përdorimi i barrierës mbrojtëse (maskës) jashtë shtëpisë rekomandohet parimisht në këto raste:
a. Sa herë dilni nga shtëpia;
b. Çdo individ mbi moshën 11 vjeç;
c. Gjatë të gjithë ditës gjatë të gjithë veprimtarisë jashtë banesës.
d. Në çdo dyqan, supermarket apo aktivitet tregtar
e. Në të gjitha mjetet e transportit publik dhe jo publik kur në to gjenden persona të tjerë përveç drejtuesit të automjetit.
f. Edhe gjatë ecjes në rrugë
g. Gjatë qëndrimit në të gjitha vendet publike të hapura si park apo shesh
h. Gjatë të gjithë aktivitetit të punës në zyra, të gjithë institucionet publike dhe jo publike, teatër, kinema, muze, biblioteka, etj
i. Në hyrje dhe dalje nga banesa si dhe ashensorë
j. Përpara dhe pas konsumit të ushqimit në bare dhe restorante
k. Në motoçikletë kur merr një person tjetër jo anëtare të familjes
l. Nëse jeni duke u kujdesur në shtëpi për një familjar me COVID-19
m. Në të gjitha institucionet fetare.
n. Nga personat që e kanë kaluar SARS COV -2 për t’u mbrojtur nga shkatarët e tjerë infektivë respiratorë.
o. Në institucionet arsimore dhe ato të kujdesit shëndetësor sipas rekomandimeve të mëparshme.
…DHE KUR JO
Ka disa raste që ju lejohet ta hiqni barrierën mbrojtëse apo të modifikoni përdorimin e saj:
a. Nëse kërkohet për qëllime të identifikimit personal nga zyrtarët përkatës në polici, në bankë, postë, gjykatë, etj
b. Gjatë ngrënies apo konsumimit të pijeve por në hyrje e në dalje nga baret dhe restorantet maska duhet të vendoset.
c. Gjatë proçesit të manipulimeve dentare por në hyrje e në dalje nga klinika maska duhet të vendoset.
d. Nga personat që mbajnë/drejtojnë lutjen/shërbesën/ceremoninë fetare
e. Nga persona me humbje të dëgjimit dhe të folurit ose për personat gjatë kohës së komunikimit me ta, nëse nuk kanë mundësi të përdorin maska të posaçme (trasparente).
f. Nëse kërkohet nga stafi i dyqaneve ose marketeve përkatëse për identifikim të moshës, përfshirë blerjen e produkteve me moshë të kufizuar, siç janë duhani dhe alkooli
g. Nga punëtorët që punojnë në ambjente të jashtme, gjatë procesit të punës kur sigurohet distance fizike jo më pak se 1.5m.
h. Nga të ftuarit në emisonet televizive me kusht që të ruhet distanca jo më pak se 1.5 metra.