Ndërsa ndodh shpesh që pas përfundimit të ofertave abonentët e kompanive celulare rimbushin llogaritë por tariforen me çmime standard për kohën e mbetur, shumë më të larta nga ato të paketave, AKEP ka vendosur që kjo duhet të marrë fund.
Kompanitë celulare nuk do të munden më të tarifojnë me çmime standarde abonentët që u përfundojnë paketat pa I njoftuar më parë përmes një SMS-je se oferta ka mbaruar. Rregullorja e re e AKEP përcakton se në çdo rast kur pajtimtari rimbush llogarinë me parapagim dhe kur pajtimtarit i përfundojnë njësitë e shërbimeve të përfshira në paketë/ofertën e parapaguar, para se të fillojë të jetë objekt i tarifimit me çmime standarde për njësi konsumi të shërbimeve, operatori i dërgon pajtimtarit një SMS informuese që përmban çmimet për njësi të shërbimeve kryesore (si thirrje telefonike kombëtare, SMS dhe akses në internet) të shprehur në lekë (me TVSH) për njësi të shërbimit (minutë, sms dhe MB). “Ky njoftim shoqërohet dhe me një link në faqen e internetit të operatorit ku është e publikuar lista e plotë e çmimeve për njësi konsumi të shërbimeve”, përcakton AKEP në rregulloren e re e cila aktualisht është në fazën e konsultimit publik.
SMS-ja informuese sipas përcaktimeve të kësaj pike i dërgohet dhe pajtimtarëve me paspagim kur arrihet niveli 100% i konsumit të njësive të përfshira në paketë dhe pajtimtari është objekt i tarifimit me çmime standarde për njësi konsumi.