Një iniciativë e cila do të kulmonte me referendum për të paguar çdo qytetar me nga 7,500 franga është nisur në Zvicër.
Sipas planit, nga Banka Kombëtare e Zvicrës do të kërkohej të paguante këtë vlerë për çdo qytetar me nënshtetësi zvicerane.
E njohur si “Iniciativa e Parave të Helikopterit”, paratë do të transferoheshin tek çdo qytetar zviceran, përfshirë fëmijët.
Në zbatim të rregullave të drejtpërdrejta të demokracisë në Zvicër, nëse organizatorët marrin 100 mijë nënshkrime, çështja do të hidhet në votim, përcjell Albinfo.
Nëse është e suksesshme, skema vlerësohet të kushtojë 45 miliardë franga.
Paratë duhet t’i paguhen secilit qytetar më pak se një vit pas referendumit dhe do të vijnë nga paratë e shtypura rishtas. Ato do të përjashtoheshin nga taksat.
Organizatorët argumentojnë se ka një sërë gjërash pozitive.
“Eksportet, normat e interesit, inflacioni dhe investimet do të rriteshin”, raportojnë ithtarët e votës.
Nënshkrimet duhet të mblidhen deri më 22 prill 2022.