Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur që të revokojë licencat për 6 vlerësues dëmesh në sigurime duke argumentuar në vendime të veçanta për secilin prej tyre arsyet.
Kryesisht shkak për këtë vendim është bërë mosdisponimi i policës së sigurimit të përgjegjësisë profesionale një kërkesë që sanksionohet nga rregullorja “Mbi licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së vlerësuesit të dëmeve në sigurime”.
Pothuajse të gjitha palët janë njoftuar më herët mbi këtë konstatim gjatë muajit shtator dhe revokimi ka zënë vend në muajin tetor.
Kuadri ligjor parashikon që licenca e vlerësuesit të dëmeve në sigurime është profesionale, individuale dhe e patjetërsueshme dhe ka një afat 5 vjeçar.
Për të bërë rinovimin e saj nga ana e individëve duhet të paraqiten një listë e plotë dokumentesh nga CV-ja tek certifikatat e trajnimit profesional.
Kjo rregullore përcakton gjithashtu rastet se kur Autoriteti i revokon licencën personit fizik si vlerësues i dëmeve ku së pari konstatohet se ka shkelur kushtet e licencimit sipas kërkesave të Ligjit nr. 52, datë 22.05.2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” dhe të kësaj rregulloreje.
Së dyti kur licenca është marrë mbi bazën e të dhënave jo të vërteta, të rreme, dokumente të falsifikuara apo kur nuk disponon policën e përgjegjësisë profesionale.
Po kështu kur nuk përmbush më kushtet, për të cilat i është dhënë licenca apo kur nuk respektohen kufizimet e përcaktuara ligj ose dënohet me vendim të formës së prerë për veprat penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, veprat penale të kryera në shoqëritë tregtare, veprat penale në lidhje me taksat dhe tatimet dhe vepra penale të tjera.
Bordi i AMF ka vendosur heqjen e licencës edhe për dy shoqëri të tregtimit të titujve, Triumf sha.a dhe Agora Securities të dyja shoqëri brokerimi në letrat me vlerë të qeverisë në Bursë.