David Alaba sulmon Bajernin: Klubi më dha goditje në fytyrë, donin të më…

0
alaba

Bajerni i Mynihut ka bërë një hap prapa për sa i përket çështjes së rinovimit me mbrojtësin austriak, David Alaba. Kampionët e Europës kanë tërhequr ofertën e bërë të premten e kaluar për lojtarin. “Bild” shkruan se klubi është lodhur nga përgjigjet negative të ardhura nga menaxheri i lojtarit dhe është ndjerë jo i vlerësuar nga ai. Alaba pritet të largohet në fund të sezonit dhe me shumë gjasa Bajerni do të humbasë me kosto zero duke parë që kontrata e tij përfundon në qershorin e ardhshëm. Real Madrid dhe Barcelona janë dy klubet më të interesuara për austriakun i cili duket se do të vazhdojë karrierën e tij larg Mynihut.

ALABA I HIDHËRUAR

Vetë lojtari foli për këtë çështje gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes me Salcburgun në Champions duke e komentuar kështu lajmin e publikuar në media. “Jam një lojtar që luaj me qejf për Bajernin e Mynihut. Ndihem mirë dhe i lumtur këtu. Jam krenar që kam mbajtur veshur këtë fanellë. U ndjeva i hidhëruar dhe i shokuar nga ato që lexova. Vazhdimi? Nuk e di, të shohim. Do të merret vesh në ditët në vazhdim. Por ajo që dua të them është që kjo gjë nuk ka nisur nga unë por nga klubi shumë kohë më parë”, tregon Alaba që më pas shton se: “Mora një telefonatë nga klubi para një viti. Ata më thanë nëse do të isha i interesuar për të shkuar në një skuadër tjetër. Kjo për mua ishte një goditje në fytyrë.

Nuk e mendoja kurrë se marrëdhënia ime me Bajernin do të arrinte këtë pikë. Nuk kam luajtur kurrë për para pasi ky klub është më shumë se aq për mua. Ju të medias keni thënë gjithmonë që negociatat kanë mbetur peng për shkak të parave, kjo nuk është dhe nuk ka qenë kurrë e vërtetë. Kaq kisha për momentin, pasi dua të përqendrohem te ndeshja me Salcburgun”, tha Alaba për “Sky”. Situata nuk duket aspak e qetë dhe sipas medieve gjermane, lojtari nuk e ka pritur mirë faktin që është zgjedhur për të qenë në konferencën për shtyp pikërisht pas publikimit të këtij lajmi.

david alaba

PËR RIKTHIMIN NË SHTËPI – “Jam i lumtur që rikthehem në Salcburg. Të kthehesh në shtëpi është gjithmonë diçka e veçantë”.

PËR SFIDËN NGA SALCBURGU – “Kemi 13 ndeshje që nuk njohim humbje dhe këtë seri duam ta vazhdojmë edhe nesër (sot). Është e vërtetë që në sfidat e fundit ka munguar disi spektakli por në fund, rëndësi kanë pikët”.

PËR TIFOZËT – “I kuptoj ata, por edhe ata duhet të më kuptojnë mua. Unë i shoh gjërat nga një perspektivë tjetër”.

PËR KUNDËRSHTARIN – “Në vitet e fundit të gjithë kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje nga ana e tyre, ata kanë bërë mirë në kampionat dhe në Europë. Jam i sigurt që nuk do të jetë e lehtë ndaj tyre pasi luajnë një futboll të shpejtë dhe atraktivë”.

Artikulli i mëparshëmNjeriu i momentit në skuadrën kuqezi, Milani gati rinovimin për Ibrën
Artikulli i radhësKonflikt për maskën në Tiranë: Pasi mbron qytetarin, përfundon vetë në komisariat