Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtin në Kuvend ligjin për Metrologjinë që Kuvendi e ka miratuar me shumicë votash më 15 tetor. Meta thekson se ky ligj ka nivel të lartë antikushtetutshmërie dhe i është drejtuar me një thirrje SPAK që të hetojë nismën e qeverisë dhe arsyet e autorëve që e kanë shtyrë Kuvendin të shqyrtojë.
Ai konstaton se përmbajtja e ligjit reflekton qartë se fenomeni i korrupsionit legjislativ ka përfshirë edhe këtë nismë ligjvënëse në Kuvendin e Shqipërisë.
Si përfundim ai jep tre arsye kryesore se pse vendosi ta kthejë për rishqyrtim në Kuvend këtë ligj duke i renditur:
1- Sanksionon konkurrencën e pandershme dhe rrezikun e shtimit të praktikave korruptive;
2- Ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues; dhe
3- Është shembulli se si ligjvënsi nuk ushtron më veprimtarinë dhe vendimmarrjen në mbrojtje të interesit publik, por në mbrojtje të një pakice subjektesh private.