Edi Rama reagon sërish pas akuzave të kameramanit amator Milaim Bellanica që filmoi 22 vite më parë masakrën e serbëve mbi civilët në Krushë të Madhe, se kasetën ia kishte dorëzuar Lulzim Bashës që punonte asokohe në UNMIK të Kosovës.
Edhe pse tezën e Bellanicës e hodhi poshtë vetë miku i Edi Ramës, Dash Peza, që tha se kaseta i është dorzuar BBC-së dhe jo Bashës, kryeministri vazhdon ti japë jetë tezës se Basha manipuloi kameramanin dhe zhduku provat e genocidit serb në Kosovë.
Rama thotë se heshtja e Bashës po e kthen liderin e opozitës në një të akuzuar, duke e ftuar më tej publikisht të sqarohnte pozicionin e tij në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, Basha përkundrazi nuk ka heshtur për këtë ngjarje.
“Hetoi krimet e UÇK-së dhe fshehu provat për serbët”/ Si i përgjigjet Basha akuzave
REAGIMI
Nuk jam unë që e akuzoj Lulëzim Bashën, po vetë heshtja e tij e gjatë, shmangia nga ballafaqimi me pretendimet e palëve të tjera, sharjet në vend të shpjegimeve dhe mosshpjegimet e tij, përballë fakteve dhe dëshmive nga organizata e individë krejt të besueshëm, e kanë kthyer Lulëzimin në një të akuzuar, që sa më shumë i bën bisht përballjes me akuzat, aq më i dyshimtë duket në sytë e publikut!
Në këtë mes unë kam vetëm një rol, atë që më takon: T’i kërkoj Lulëzim Bashës t’i sqarojë publikut se kush është ai në këtë mes dhe pse i’a kërkojnë atij dëshmitarët hesapin e nuk i’a kërkojnë dikujt tjetër?! Sepse Lulëzimi nuk është dokushdo dhe këtu nuk flitet as për jetën private, as për punën private, po për një çështje sa publike e me interes kombëtar, aq edhe karakteriale për drejtuesin e opozitës, i cili synon të bëhet i pari i shtëpisë sonë të përbashkët.