Një histori sa e rrallë, aq edhe e pështirë e oficerit të policisë që humbi jetën nga Covid.
Në komisariatin numër 4, bashkëshortja e Florian Pemës, Valbona, denoncon humbjen e sendeve me vlerë të të shoqit.
Burime zyrtare konfirmojnë se ajo ka kërkuar ndihmën e kolegëve të Florianit, që sendet e tij personale të gjenden e t’i kthehen për t’u ruajtur si një kujtim i çmuar.
Një javë më parë, efektivi i antidrogës në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit, apo dhe agjent pranë OFL, Florian Pema, ndërroi jetë pasi ishte i prekur nga Covid 19.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ai u dërgua në morgun e spitalit.
Në deklarimet e dhëna para oficerëve të policisë, Valbona Pema ka treguar se pasi mori rrobat e të shoqit nga morgu, në xhepa mungonte portofoli i cili kishte rrogën, dokumentet personale të identifikimit dhe disa fotografi.
Humbja e tyre nuk dihet si ka ndodhur. Në Spitalin Infektiv Floriani qëndroi i shtruar për një muaj, ndërsa në morg trupi qëndroi disa orë.
Pas ekzaminimeve që mjekët i bënë në spital, rezultoi se Floriani kishte diabet të fshehur, ç’ka sipas tyre, e rëndoi së tepërmi gjendjen shëndetësore të 45 vjeçarit, baba i një djali 14 vjeçar.
Por më datë 20 nëntor, pak para se ai të ndërronte jetë, kolegë të Florianit dhe të afërm të tij kishin vendosur që ai të dërgohej për kurim në Turqi./ abcnews/