Një 29-vjeçar nga Durrësi është shpallur në kërkim, ndërsa 11 emigrantë janë kapur në Pogradec.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit filloi procedimi penal dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit P. Ll., 29 vjeç, banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë Rrugore, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas po transportonte në drejtim të Tiranës, me një mjet tip “Opel”, disa emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar shërbimet, kanë lokalizuar mjetin dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i mjetit, në momentin kur punonjësit e Policisë i kanë bërë me shenjë të ndalonte, nuk i është bindur urdhrit të tyre, por është larguar me shpejtësi dhe ka braktisur mjetin në afërsi të vendit të quajtur “Enkelana”, Pogradec, brenda të cilit u gjetën 11 emigrantë të paligjshëm.
Nga ana e Policisë po punohet për kapjen e këtij shtetasi dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.