Albpetrol ka nxjerrë për shprehje interesi dy fusha gazi duke u dhënë kështu mundësi investitorëve të interesuar të dorëzojnë aplikimet e tyre. Kjo është hera e parë në shumë vite që kompania publike e naftës në vend dhe që ka nën menaxhime dhe disa fusha gazi nxjerr për interes këtë grup. Bëhet fjalë për fushën e Povelçës dhe atë të Frakullës të cilat janë nën administrimin e kompanisë. Viteve të fundit e vetmja që ka qenë aktive ka qenë Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës e cila ka nxjerrë në pak raste për shprehje interesi blloqe të lira nafte por interesi ka qenë relativisht i ulët. Kjo lidhej edhe me faktin se çmimi i naftës ka pasur luhatje të theksuara dhe rënie drastike në disa raste duke bërë kompanitë që të fokusohen në investime aktive dhe jo drejt zgjerimit në vende të reja. Politika e dyerve të hapura për investitorët që u lakua nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë disa vite më parë nuk ka dhënë ndonjë rezultat dhe marrëveshja më e rëndësishme e nënshkruar viteve të fundit ka qenë ajo me kompaninë italiane ENI për kërkim nafte në fushën e Dumresë.
Njoftimi i Albpetrol
“Shoqëria Albpetrol sh.a njofton shpalljet e dy fushave të gazit të lira në Shqipëri, të cilat janë nën administrimin e Albpetrol. Çdo palë e interesuar mund të aplikojë për fushat e lira të gazit si më poshtë: Fusha e Povelçës, Fusha e Frakullës.Çdo palë e interesuar të hyjë në Marrëveshje Hidrokarbure me shoqërinë Albpetrol sh.a për fushat e mësipërme, duhet të dorëzojë zyrtarisht me postë Formularin e Aplikimit dhe dokumentet e tjera, sipas përshkrimit në Formularin e Aplikimit.
Formulari i Aplikimit dhe dokumentet shoqëruese duhet të jenë origjinale, të firmosura dhe vulosura në çdo faqe nga palët e interesuara dhe duhet të përmbajnë vulën zyrtare të shoqërisë.
Formulari i Aplikimit dhe dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen veçmas për secilën fushë të lirë në adresën: Albpetrol sh.a, Rr. Nacionale Fier-Patos, Km.7, Patos, Shqipëri.
Dorëzimi i Formularit të Aplikimit dhe dokumenteve shoqëruese do të konsiderohet si një shprehje zyrtare interesi nga subjekti aplikues.
Aplikimet duhet të dorëzohen zyrtarisht në Albpetrol jo më vonë se data 5 Mars 2021, ora 15:00 (ora lokale). Aplikimet e mbërritura pas afatit zyrtar nuk do të pranohen.
Çdo palë e interesuar për të marrë Paketën me të Dhënat Teknike të fushave të mësipërme nga Albpetrol sh.a duhet të paraqesë një kërkesë zyrtare me email tek personi i kontaktit i caktuar për këtë çështje, Z. Edison Tomani, me adresë elektronike: edison.tomani@albpetrol.al.
Ju lutem kini parasysh se Paketa me të Dhënat Teknike për këto fusha të lira është subjekt i një pagese prej 6500 $ (TVSH e përfshirë). Për më shumë informacion ju lutemi kontaktoni me Z. Edison Tomani.
Blerja e Paketës me të Dhënat Teknike është një parakusht i detyrueshëm për palët e interesuara. Mos zbatimi i këtij kushti do të sjellë skualifikimin e aplikimit” thuhet në njoftimin e Albpetrol.