Shtetet e Bashkuara shënojnë javën më vdekjeprurëse që prej fillimit të pandemisë, me mbi 15 mijë e 600 humbje jetësh, në 7 ditë. OBSH i cilëson shifrat shokuese, ndërsa autoritetet në vend paralajmërojnë për përkeqësim të situatës gjatë festave.
Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, rritja dramatike e vdekjeve nga Covid-19 është shokuese. Duke folur në një konferencë për shtyp në Gjenevë, Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore, tha se Shtetet e Bashkuara po përballen me një situatë kritike, ndërsa rastet vijojnë të rriten në nivele të paimagjinueshme.
“Shtetet e Bashkuara numërojnë 1/3 e rasteve në të gjithë botën. Pandemia atje, është ndëshkuese, e përhapur kudo. Është shokuese të shohësh se një deri në dy persona në minutë vdesin nga koronavirusi në një vend që ka një sistem të fortë e të mrekullueshëm shëndetësor dhe me kapacitete të mëdha teknologjike”.
Me festat e fundvitit që po afrohen, autoritetet shëndetësore janë të shqetësuara se situtata do të përkeqësohet edhe më shumë sesa pas Ditës së Falënderimeve. Mjeku, Anthony Fauci, drejtor i Insitutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive, tha për CNN, se muajt në vazhdim do të jenë sfidues. “Kemi të bëjmë me përhapje masive në komunitet. Situtata në të cilën do të hyjmë tani; nga Dita e Falënderimeve në sezonin e Krishtlindjeve, do të jetë kritike”.
Autoritetet paralajmërojnë se situata pandemike pritet të përkeqësohet gjatë 4 deri në 6 javët në vazhdim, me shtrimet në spital që mund të arrijnë në 150 deri në 175 mijë.
Një milion raste të reja janë shënuar vetëm në 5 ditët e para të dhjetorit, ndërsa mbi 15 mijë e 600 persona humbën jetën në 7 ditët e fundit duke e bërë këtë javën më vdekjeprurëse që prej fillimit të pandemisë.