Dy vëllezër janë gjetur të ekzekutuar me armë zjarrin në Maliq të Korçës.
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë lokale.
Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur ‘Kisha e Vogël’ në fshatin Zvirinë të Korçës.
Dy vëllezërit janë me inicialet A. O., 33 vjeç dhe M. O., 31 vjeç.
Njoftimi i Policisë së Korçës:
Më datë 10.12.2020, rreth orës 11:50, në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur ‘Kisha e vogël’, janë gjetur të pajetë, trupat e vëllezërve A. O., 33 vjeç dhe M. O., 31 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit.
Këta shtetas, ishin larguar nga banesa e tyre që prej mbrëmjes së datës 07.12.2020.
Në lidhje me këtë ngjarje menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.
Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën, gjithashtu janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje.
Po ndiqet itinerari i lëvizjeve dhe po kryhen një sërë veprimesh hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si edhe kapjen e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.