Teatri me policin e plagosur/ Ardi Veliu shfaqet duke e mbajtur për krahu në Rinas

0

Gjatë protestave për Klodian Rashën, një polic u plagos në sy gjatë përplasjes me të rinjtë. Efektivi është nisur drejt spitaleve të Turqisë për një ndërhyrje të specializuar.

Por për ta shitur plagosjen e policit në publik, si një gjëmë të shkaktuar nga ata që qeveria i quan “halabakët” e protestave, është inskenuar edhe një ceremoni për përcjelljen e tij në aeroportin e Rinasit.

Në pamjet e mundësuara nga fotografi i posaçëm i ceremonisë, shfaqet Drejtori i Policisë  Ardi Veliu që mban nga krahët policin dhe e shoqëron atë drejt avionit. është edhe Ogerta Manastirliu që i shtrëngon duart me një mirënjohje teatrale në fytyrë dhe më pas të dy bashkë e përshëndesin të mallëngjyer teksa ai niset drejt Turqisë.

Sikur kjo të ishte hera e parë që organizohen inskenime të tilla banale, edhe mund të hahej, por  e gjitha është në vazhdën e propagandës që synon të japë pasojat e “huliganizmin” apo “halabakërinë” e protestuesve që për 5 netë me radhë shfrynë mllefin ndaj vrasjes së një 25 vjeçari të pafajshëm dhe ndaj një policie që dhunën ndaj të rinjve e shndërroi në normalitet.

Sa për Veliun dhe Manastirliun, i pari duhej të kishte marrë masa të mos i nxirrte policët të pambrojtur përballë turmës së protestuesve, siç ndodhi në netët e para pas vrasjes së Klodian Rashës, ndërsa e dyta, mund të jetë e vetmja Ministre Shëndetësie që përcjell të sëmurët për trajtim në spitalet e huaja dhe në çdo rast i fut një vështrim prekës në Rinas.

Artikulli i mëparshëmRaporti i Eurostat/ Basha: Boll më! Është koha për ndryshim
Artikulli i radhësBE nën presion për miratimin e vaksinës nga Pfizer-BioNTech