Drejtoresha e Shërbimit të Provës në Kurbin, Lindita Lelçaj, është arrestuar nga Policia pasditen e së martës me akuzën e korrupsionit. Operacioni është kryer nga seksioni i Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Kurbinit. Sipas burimeve nga uniformat blu, shtetasja Lindita Lelçaj është vënë nën akuzë për veprën penale “Shpërdorim Detyre”, pasi dyshohet se manipulonte provat për persona që vuanin dënimin, duke dhënë verifikime edhe për të dënuar që ndodheshin jashtë vendit.
Hetimet janë drejtuar nga prokurorja e Kurbinit, Arjola Preçi, dhe rasti i korrupsionit është zbuluar brenda nja harku kohor mjaft të shkurtër. Në momentin e ndalimit, Policia ka përdorur një agjent të infiltruar, i cili i ka ofruar shefes së Shërbimit të Provës një shumë parash për të kryer veprime të jashtëligjshme dhe sapo ka marrë sasinë e lekëve, ajo është prangosur në flagrancë nga uniformat blu.
Fillimisht, Lelçaj është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Kurbinit dhe më pas në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, ku dhe i është komunikuar akuza.
Hetimet
Prokuroria e Kurbinit vijon hetimet në lidhje me rastin në fjalë, pasi ka dyshime se ka të përfshirë dhe persona të tjerë në këtë veprimtari korrupsioni të kundërligjshme. Po ashtu, ka dyshime se shefja e Shërbimit të Provës në Kurbin ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme në disa raste, duke manipuluar edhe provat për të dënuarit dhe po punohet për dokumentimin e plotë të tyre.
Organi i akuzës mësohet se ka administruar të gjithë dokumentacionin e zyrës së Shërbimit të Provës në Kurbin për të zbardhur të gjithë shkeljet që mund të ketë kryer shefja e këtij institucioni në bashkëpunim edhe më persona të tjerë. Teksa hetimet po vijojnë, nuk raportohet për ndonjë person tjetër të ndaluar në lidhje me këtë rast, ndërsa as Policia ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me operacionin e zhvilluar gjatë pasdites të së enjtes.
Sipas burimeve, Lindita Lelçaj kishte disa kohë që mbante postin e drejtores të Zyrës së Shërbimit të Provës në Kurbin, ndërsa më herët ka punuar edhe në organet e drejtësisë në Lezhë. Ndërkohë, pas ndalimit nga Policia për korrupsion, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mësohet se ka firmosur menjëherë pezullimin nga detyra të drejtueses së Zyrës së Shërbimit të Provës në Kurbin, Lindita Lelçaj./Panorama/