Anton Keli, 51-vjeçari që u ekzekutua në Rrëshen të Mirditës, mendohet se është vrarë nga vrasës me pagesë.
Megjithëse janë shoqëruar shumë persona, sërish nuk ka asnjë autor të dyshuar për ngjarjen.
Burimet thonë se në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzhoja. Tre plumba i kanë prekur trupin. Keli ka ecur për rreth 100 metra për te një market në afërsi të banesës, duke i kërkuar ndihmë shitëses së marketit. Por plumbat e kishin prekur në organet jetësore dhe ai ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital.
Në zonë ka kamera të shumta sigurie. Por te vendi ku është qëlluar pasi Anton Keli ka parkuar makinën pranë pallatit, kamerat e sigurisë nuk e kanë kapur momentin e ekzekutimit.
Nuk dihet nëse autorët e kanë qëlluar nga një distancë e afërt apo e largët. Mendohet se kanë qenë më shumë se dy persona që kanë kryer ekzekutimin e Kelit.
Dyshimet më të forta janë se ekzekutimi ka lidhje me sagën e hakmarrjes mes fiseve Reçi dhe Gjini. Anton Keli ishte kushëri me familjen Gjini.
Keli ishte person pa precedent penal dhe nuk njihej si problematik. Ai punonte si taksixhi në zonë.