Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi artisten e shquar të kinematografisë shqiptare Elida Janushi dhe pionerin e kameras, Dhimitër Lala me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Kreu i Shtetit e dekoroi aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit, me motivacionin për mjeshtrinë e rrallë dhe kontributin ndaj artit dhe kinematografisë shqiptare.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar të familjarëve dhe personaliteteve të artit, kulturës dhe kinematografisë, të pranishëm në ceremoninë solemne, Kreu i Shtetit u shpreh se artisët shqiptarë kanë qenë dhe janë gjithmonë të mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Fjala e Presidentit Meta:
“Artisët shqiptarë kanë qenë dhe janë gjithmonë të mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës, si shenjë vlerësimi për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për vendin dhe shoqërinë tonë.
Edhe në kohët më të vështira, siç është edhe kjo situatë që po kalojmë me Covid-19, njeriu shpreh emocionet dhe dëshirat e brendshme dhe kërkon mbështetje në art.
Sepse arti është një mënyrë për të promovuar edhe ndryshime shoqërore, veçanërisht gjatë periudhave të vështira sociale.
Si pjesë e vlerësimit për artin shqiptar, do nderojmë dy figura, që në zhanret e tyre kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh për dekada.
Jeta e kino-operatorit Dhimitër Lala është e mbushur me një kontribut të jashtëzakonshëm për filmin shqiptar, por duke prekur njëkohësisht momente vlerësimi shumë të larta, si dhe dënime shumë të padrejta në periudha të tjera.
Zoti Lala, vetëm 13-vjeçar doli partizan dhe mori pjesë në Luftën Antifashiste, duke dhënë kontributin e tij në çlirimin e vendit dhe duke u vlerësuar me shumë medalje të asaj periudhe.
Dashurinë për artin e kishte në shpirt dhe kjo bëri që të linte karrierën ushtarake dhe të fillonte punë në Kinostudion Shqipëria e Re, si asistent operator e më pas operator kronike e dokumentarësh.
Zoti Lala është nga kineastët e parë shqiptar që hodhi themelet e Artit të Shtatë në Shqipëri dhe njëkohësisht ndër kineastët e parë që xhiruan në Televizionin Shqiptar prej vitit 1971, vit kur nisën transmetimet ditore të këtij televizioni.
Por në këto momente, kur karriera e tij ishte ngjitje dhe e suksesshme, në vitin 74’ vjen shkarkimi nga puna në kuadër të goditjes dhe arrestimeve në TVSH dhe më pas largimi nga partia dhe në vitin 76’ arrestimi dhe dënimi me 6 vjet burg për agjitacion e propagandë, në burgun famëkeq të Spaçit.
Me daljen nga burgu zoti Lala, kineasti i shquar, punoi si punëtor ngarkim-shkarkimi deri në daljen në pension.
Në vitet e demokracisë, zoti Lala u rivlerësua për kontributin e tij në kinematografi, duke u bërë shpesh pjesë e mediave të shkruara në artikuj e intervista, duke ndihmuar në evidentimin e vlerave dhe në qartësimin e shumë momenteve të errëta, që regjimi komunist krijoi në artin e shtatë.
Karriera e tij e suksesshme, me realizimin me mjeshtëri të lartë artistike të qindra dokumentarë dhe kronikave, apo thënë ndryshe e afro 50 mijë metra film të xhiruar, ka hynë në historinë e kinematografisë shqiptare.
I paharruari Dritëro Agolli e ka vlerësuar Dhimitër Lalën me këto fjalë:
‘Vera sa më e vjetër të jetë, aq më e mirë është. Kjo thënie e lashtë, do të përshtatej edhe për kronikat e dokumentarët kinematografikë dhe televizivë të operatorit të talentuar Dhimitër Lala, njërit prej themeluesve të kinematografisë shqiptare’.
Për gjithë të gjithë këtë kontribut të jashtëzakonshëm si një nga pionierët e kamerës dhe operatorët e parë të vendit, kam kënaqësinë dhe privilegjin ta nderoj sot zotin Dhimitër Lala me titullin e lartë Mjeshtër i Madh.
Po kështu kam kënaqësinë të vlerësoj një artiste shumë të dashur për publikun shqiptar, një bijë të denjë të Devollit, aktoren Elida Janushi.
Zonja Janushi u lind dhe u rrit në një familje të madhe me emër e tradita patriotike dhe intelektuale në Devoll, vend me të cilin mbetet ngushtësisht e lidhur edhe sot.
Që në fëmijëri i pëlqente aktrimi dhe talenti i saj u dallua me recitimet e saj emocionuese dhe në personazhet e luajtura në teatrin e shkollës.
Talentin e saj e zbuloi ‘Artisti i Popullit’ Naim Frashëri, i cili u kujdes që Elida të vazhdonte shkollën e lartë për aktrim.
Talenti natyral i zonjës Janushi spikati dukshëm dhe vajzës së re ju besuan role kryesore e të rëndësishme në shumë drama.
Pas studimeve, zonja Janushi e vazhdoi karrierën e saj artistike me interpretime në shumë role, si në Teatrin Kombëtar ashtu edhe në filmat artistikë shqiptar si ‘Brazdat’, ‘Shoku ynë Tili’, ‘L’America’, etj.
Galeria e roleve të zonjës Elida është e plotë dhe e larmishme. Ajo ka interpretuar vajzën, gruan, nënën, gjyshen, malësoren, mësuesen, etj. me pasion, dashuri dhe përkushtim.
Por, një nga figurat më të dashura, më popullore e që kanë mbetur të ngulitura në kujtesën e spektatorit shqiptar kudo në botë, është ajo e gruas së Jovan Bregut në komedinë ‘Pallati 176’.
Aty ajo paraqet një grua të urtë, pranuese, me tone ankuese por me humor, që fsheh në vetvete një shpirt të butë, fisnikëri dhe mirësi.
Në të gjitha personazhet e interpretuara nga Elida Janushi dallohen të gërshetuara bukur bota e saj e pasur emocionale, zëri i saj potent dhe me shumë ngjyrë si dhe plastika e përsosur.
Elida Janushi i përket një brezi të shquar artistësh të skenës dhe ekranit, që shënuan një hop cilësor në interpretimin e roleve dhe figurave, në dramën dhe kinematografinë shqiptare.
Edhe pse Elida Janushi ka disa vjet që është shkëputur nga skena dhe jeton larg atdheut, ajo ka lënë gjurmët e saj të pashlyeshme në rolet e realizuara gjatë karrierës së saj, me zërin e saj plot humor e kumbues, me interpretimet e saj të mrekullueshme, duke u bërë krenaria jo vetëm e vendlindjes së saj, por e mbarë neve.
Për gjithë kontributin e saj në artin dhe kinematografinë shqiptare dhe me mirënjohje për realizimin e një sërë rolesh të spikatura, vlerësoj sot zonjën Elida Janushi me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”.