Vrasja e Xhulio Prelës ka një autor që është identifikuar nga grupi hetimor, por që për publikun mbeten ende ‘sekret’ gjeneralitetet e tij. Gazetari Elton Qyno shkruan se në drejtim të efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nuk ka qëlluar me armë zjarri as i arrestuari për ngjarjen, Nikoll Sherrniku dhe as Brilant Martinaj që është shpallur në kërkim, por një person i tretë.
Ky i fundit, ka qenë pikërisht personi që është përplasur me efektivin Prela, në orët e para të mëngjesit të datës pesë dhjetor, gjë që solli dhe vdekjen e 26-vjeçarit. Ai është identifikuar nga grupi hetimor dhe po punohet për lokalizimin e arrestimin e tij. Qyno shkruan se fillimisht, Prela është ‘përplasur’ me drita makinash me një mjet fuoristradë ku udhëtonte ‘misteriozi’, dhe ka marrë të shara e ofendime nga ky i fundit. Efektivi i FNSH-së ka ecur disa metra, pas është kthyer mbrapsht dhe i është vënë pas mjetit në fjalë, ka ulur xhamin e djathtë të makinës dhe me armën e shërbimit në dorë ka kërkuar llogari nga personi që kishte përballë.
Sherri ka agravuar në përdorimin e armës nga personi që ende nuk i dihet identiteti, i cili e ka qëlluar tre herë Prelën, nga ana e djathtë, duke bërë që plumbi t’i shkojë në zemër e t’i marrë jetën efektivit. E ndërsa efektivi i FNSH-së nuk ka arritur ta përdorë dot armën e tij, e cila është gjetur poshtë sediljes së pasagjerit të mjetit të tij “Ëolksëagen Passat”. Më pas, autori është larguar duke lënë pas policin e vdekur.
Sot, Nikoll Sherrniku, 21-vjeçari i arrestuar dy ditë më parë për vrasjen e efektivit të policisë Xhulio Prela, ka mohuar autorësinë në këtë ngjarje. Sherrniku ka dalë para togave të zeza, ku është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” dhe ka deklaruar se mëngjesin e 5 Dhjetorit kur është vrarë efektivi i FNSH ka qenë në shtëpi.
“Unë kam qenë në shtëpi, nuk kam lidhje me ngjarjen që më akuzoni,”- mësohet të jetë shprehur i riu. Mësohet se Sherrniku është mekanik makinash në fshatin Fushë-Kuqe, ndërsa 21-vjeçari pretendon se nuk njihet me të akuzuarin tjetër, Brilant Martinaj. Ky i fundit, gjithashtu pretendon se është i pafajshëm dhe se po akuzohet vetëm për faktin se ka kaluar në atë zonë, në të njëjtën orë me kohën kur ka ndodhur krimi i rëndë. Aktualisht ai ndodhet në Turqi dhe këtë javë do të dorëzohet me këmbët e tij para drejtësisë për të sqaruar përfshirjen ose jo të tij në këtë krim të rëndë.
Efektivi Prela, ishte duke u kthyer për në banesën e tij, pasi kishte çuar një të afërm në Shkodër kur u vra.