Argjentina i ka dhënë miratim emergjent vaksinës Sputnik të Rusisë, sipas një deklarate të ministrisë së Shëndetësisë, duke u bërë vendi i tretë pas Rusisë dhe Bjellorusisë që autorizon vaksinën për përdorim. Dozat e para të Sputnik pritet të mbërrijnë në ditët e ardhshme. Mbi 42,000 persona kanë ndërruar jetë prej Covid-19 deri më tani, sipas të dhënave zyrtare. “Produkti rus përfaqëson një ekuilibër të pranueshëm të përfitimeve ndaj rrezikut”- deklaroi Administrata Kombëtare e Barnave, Ushqimeve dhe Teknologjisë Mjekësore në Argjentinë.
Pak orë më herët, Argjentia i’u bashkua listës në rritje të shpejtë të vendeve që miratojnë për emergjencë vaksinën e Pfizer. Disa shkencëtarë perëndimorë kanë ngritur dyshime mbi shpejtësinë nën të cilën Rusia ka punuar me vaksinën, duke i dhënë miratim rregullator përpara provave të fazës përfundimtare, ku testohet siguria dhe efikasiteti.
Kirill Dmitriev, kreu i fondit të pasurisë sovrane të Rusisë, që po financon zhvillimin e vaksinës, tha se Argjentina do të marrë 300,000 doza të Sputnik këtë Javë. Sipas tij, do jetë dërgesa më e madhe e çdo vaksine në Amerikën Latine. Ai shtoi se ka kërkesë të madhe për Sputnik nga vende të tjera të kontinentit.