Personi më i vjetër në botë, japonezja Kane Tanaka, mbush sot 118 vjeç.
E lindur më 2 janar 1903, Tanaka u njoh në mars 2019 nga Libri i Rekordeve “Guinness” si gruaja më e vjetër në planet, në moshën 116 vjeç dhe shtatorin e kaluar ajo vendosi rekordin japonez me 117 vjet dhe 261 ditë.
Banore e një azili pleqsh në Fukuoka, Japonia perëndimore-qendrore, Tanaka festoi ditëlindjen e saj duke falënderuar personelin dhe të gjithë personat me të cilët ndan aktivitetet e përditshme aty.
Sipas raporteve nga qendra e trajtimit, ajo bën gjimnastikë përditë, është në gjendje të kryejë llogaritje dhe është e apasionuar pas lojës japonez “Reversi”.
“Hani ushqim të shijshëm dhe mos ndaloni kurrë së studiuari”, tha Tanaka, kur e pyetën se cili ishte sekreti i jetëgjatësisë së saj.
Gruaja ultraqindvjeçare shtoi se qëllimi i saj është të arrijë moshën 120-vjeçare.