Meta mesazh mirënjohjeje për kongresmenin Eliot Engel: Zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan

0
Meta Engel

Presidenti Ilir Meta ka shprehur një mesazh mirënjohjeje për kongresmenin Eliot Engel, i cili u largua nga Kongresi Amerikan pas 3 dekadash punë e përkushtim.

Meta e cilëson Engel një avokat të palodhur dhe zë të fuqishëm të shqiptarëve në Kongres, ndërsa shton se “ai ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike”.

Mesazhi i Metës:

Përherë mirënjohës mikut të sprovuar të kombit shqiptar, z.Eliot Engel, për mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për rolin e rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe për kontributin e pakursyer dhe shumë të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, z.Engel ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike.
Si njohës i shkëlqyer i rajonit, z.Engel ka spikatur gjithashtu edhe si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor.
Jam i bindur se mbështetja dhe bashkëpunimi i tij do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në interes të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. 🇦🇱🤝🇺🇸

Artikulli i mëparshëm“Nga sot bien temperaturat”, sinoptikania bën parashikimin për janarin: Pritet mot i paqëndrueshëm me shi e borë
Artikulli i radhës“Për 8 vite Rama shkatërroi ekonominë”, Basha: Ne do të sjellim shpresë për shqiptarët!