Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë ditës së sotme janë duke shkaktuar vërshime dhe vështirësi në qarkullim në disa pjesë të Kosovës. Këto reshje kanë përfshirë disa komuna si dhe fshatra të tyre, duke e bërë të pamundur qarkullimin e njerëzve si dhe veturave nëpër rrugë.
Në komunën e Malishevës si dhe në disa fshatra përreth është raportuar për gjendje të rënduar, madje është bërë thirrje të evitohen daljet e panevojshme.
Edhe në Komunën e Gjakovës situata është mjaft e rënduar për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe borës.
Sipas një statusi në rrjetin social në Facebook, Komuna e Gjakovës bën të ditur se të gjithë operatorët janë në terren dhe janë duke u munduar që të sanojnë problemet.
“Sipas parashikimeve meterologjike, reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët vijuese dhe situata të tilla do të mund të na përsëriten. Deri më tani janë raportuar situata të rënduara në hyrje-daljet e qytetit, tek rruga “Qazim Bakalli”, tek Ura që lidh Bllokun e Ri me Shkugëzen, kemi bllokim të rrugëve “Fehmi Agani” dhe “Gaspër Karaqi” si dhe paralagjia Brekoc. Lusim qytetarët që të shmangin qarkullimin në këto pjesë. Në mënyrë që të jemi më afër jush, për çdo vështirësi që paraqitet në lagjen tuaj, ju lutem telefononi në Qendrën e Thirrjeve Emergjente përmes numrit 112☎️ dhe ne do të jemi në shërbim me të gjitha kapacitetet për të minimizuar problemin”, kanë shkruar nga Komuna e Gjakovës në Facebook.
Edhe nga Komuna e Rahovecit kanë bërë të ditur se reshjet e shiut kanë vërshuar qarkullimin në disa zona.
“Komuna e Rahovecit, njofton të gjithë qytetarët se ekipet emergjente kanë dalë në terren që në orët e hershme të mëngjesit për t’i evituar problemet e shkaktuara nga reshjet e shiut. Kërkojmë nga ana e qytetarëve mirëkuptim dhe bashkëpunim për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga reshjet e dendura të shiut. Debllokimet janë bërë Rahovec, Pastasel, Polluzhë, Çifllak, Sarosh..Po vazhdojmë në vendbanime të tjera…”, ka shkruar ata në Facebook.
Ndërkaq, reshjet e mëdha të shiut kanë përmbytur edhe Komoranin si dhe fshatin Poklek të Drenasit.