Ku ka të drejtë dhe ku dredhon Rama në sulmin ndaj BE-së

0

NGA ANDI BUSHATI

Edi Rama ka të drejtë në vizatimin që i bën BE-së si bashkim egoist, cinik madje aspak solidar. Kritikat që ai i artikulon me tagrin e shefit të qeverisë së një vendi të Ballkanit Perendimor, që u la mbrapa liste në betejën urgjente të vaksinimit, janë të ngjashme me ato që një pjesë e madhe e italianëve nxorën nga goja për aleatët e tyre të Unionit.

Edhe po të shohësh përgjigjet që i kanë ardhur kryeministrit, qoftë nga selia diplomatike e Brukselit në Tiranë, qoftë nga ajo e Francës, sërish atij nuk mund ti vësh faj. Argumentat e tërthortë të diplomatëve europianë, se BE na ka ndihmuar më 115 milionë për tërmetin, se ajo ka akorduar 70 milionë euro për vaksinën, nuk e fshehin dot faktin se shtetet anëtare, në këtë rast, menduan vetëm për veten e tyre. 

Sot ka ende vende të rajonit tonë që nuk kanë vaksinuar asnjë mjek apo të moshuar, si rezultat i pamundësisës të tyre për të shkuar në burimin e gjetjes së vaksinës.

Me qëndrimin që mbajti, kryeministri ynë mund të renditej denjësisht përkrah aktivistëve të aleancës për një vaksinë universale (ku bëjnë pjesë organizata prestigjoze si Amnisty Internacional apo Oxfam), të cilët denoncojnë pabarazinë mes shteteve dhe pamundësinë e vendeve të vogla dhe të varfra për të pasur një akses të barabartë në këtë arrijte rekord të shkencës. 

Por për fat të keq, Edi Rama është larg të qenit një militant i kësaj bote ideale që flet në emër të vlerave. Këtë e provoi edhe njëherë me mënyrën si i artikuloi kritikat ndaj vendeve të BE për vaksinën dhe nga dredhia me të cilën u përpoq ta përdorte këtë fabul. 

Qëllimi i tij ishte shumë më utilitar dhe propagandistik. Ai u rek të na dëftente, se pavarësisht bllokadës, ne kemi një lider të talentuar që di ta çajë atë. Ai u përpoq të tregonte se falë atij personalisht dhe talentit vetjak për të lypur, Shqipëria e filloi procesi i vaksinimit, pavarësisht se nga Europa u harruam.

Në gjithë këtë manovër politike, Rama u tradhëtua nga disa detaje jo të vogla. Fillimisht ai akuzoi BE-në, për mungesë solidariteti në shpërndarjen e vaksinave. Ai e përsëriti këtë referen, gjysëm si të vërtetë dhe gjysëm si shantazh edhe përkrah vëllait të tij Erdogan, në Ankara. 

Por, ndoshta ai nuk e pati llogaritur që, si rallë herë, nga ambasadori i BE në Tiranë do ti vinte një reagim i fortë. Soreca tha se ndihej i habitur dhe iu kundërpërgjigj qeverisë shqiptare se ajo nuk ishte gati me planin e vaksinimit. 

Pikërisht këtë nuk e duroi kryeministri, që pa me sytë e tij se si një lojë që e kishte nisur për propagandë mund ti kthehej në të kundërtën e saj.

Duke qenë se edhe donte ta nxinte BE-në për tu heroizuar vetë, për qëllime të brendëshme, por as nuk kishte ndërmend të konfrontohej me zyrtarët e saj, Rama ndryshoi 180 gradë. Ai tha gjatë një interviste në “Open” se Soreca e kishte keqkuptuar, se ai nuk pati kritikuar Komisionin Europian që gjendet në Bruksel dhe nuk disponon vaksina, por disa vende anëtare që kanë më tepër sesa duhet.

Dhe këtu qe pika ku ra nga shiu në breshër për tu bërë qull nga Franca e cila e etiketoi edhe si gënjeshtar edhe si akuzues të një vendi mik. 

Pra mjafton të shohësh se si Rama luan me gjysëm të vërtetat, se si ai e dredh kur bindja që ka i prish punë elektoralisht, për të mos e marrë seriozisht në ato që thotë.  

E vetmja gjë që duhet ti dimë për nder është se, ndonëse për arsye aspak parimore, ai hapi një temë të vërtetë: atë të mungesës së solidaritetit të BE-së. 

Ky subjekt, zakonisht tabu për elitat tona, që ende përkundin në krye ëndrrën e një Europe ideale, ia vlen të diskutohet në momente të tilla, që ruhen gjatë në memorie. Sepse, po, BE këtë herë na la prapa liste. Kjo është një e vërtetë që duhet parë në sy, pavarësisht se u artikulua fillimisht nga dikush që deshi ta përdorë për qëllime të mbrapshta. /lapsi.al

Artikulli i mëparshëmFOTOT/ Mbesa e ish-Presidentit Bujar Nishani ndahet nga i dashuri italian pas 6 muajsh dhe u rikthehet pozave hot si beqare
Artikulli i radhësUdhëtimi në të gjithë BE do bëhet vetëm me ‘pasaportë vaksine’? Presidenti i Këshillit Europian sqaron çfarë vendimi pritet të merret