Gazeta më e madhe izraelite zbulon përpjekjet e Vuçiç për ta parandaluar njohjen e Kosovës nga Izraeli

0
Vucic

E përditshmja izraelite, “The Jerusalem Post” ka konfirmuar se të hënën Kosova dhe Izraeli do t’i vendosin edhe zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike, teksa ka treguar edhe një përpjekje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për ta parandaluar këtë.

Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, megjithatë dhe një burim diplomatik izraelit konfirmoi se Beogradi është i zhgënjyer me zhvillimet e fundit. Në shtator, burime të afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç e bënë të qartë se nëse Beogradi hap një ambasadë në Jeruzalem, Serbia do të priste që Izraeli të mos e njihte Kosovën si shtet – megjithëse mund të mbante lidhje të nivelit më të ulët, shkruan gazeta izraelite.

Serbia mund ta hapë ende një ambasadë në Jeruzalem, siç përcakton marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, por marrëdhëniet me Izraelin do të degradohen, i ka thënë një burim JP-së.

Nënshkrimi i vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike do të mbahet në një ngjarje virtuale me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gaby Ashkenazi. Ministra e Jashtme kosovare kishte planifikuar ta vizitonte Izraelin këtë javë, por udhëtimi është shtyrë sepse Izraeli ka ndaluar të gjitha fluturimet për shkak të COVID-19, shkruan ndër tjerash ky medium.

Artikulli i mëparshëm“Favorizoi lirimin e të dënuarit të vrarë në atentat”, KLD do të vulosë fatin e prokurorit të Krujës (Emri)
Artikulli i radhësProgrami i PD, Basha: 30 mijë lekë për çdo të porsalindur për 5 vjet, mbulim 100% të interesave të kredisë për strehim për 5000 çifte të reja çdo vit