Zbulohen vrasësit e Shkëlzen Kastratit, ja ku po e zhvillon policia operacionin për arrestimin e tyre

0

Policia e Shtetit ka nisur kontrollet në fshatin Larushk, në afërsi të Niklës, pasi mësohet se janë identifikuar autorët e vrasjes së Shkëlzen Kastratit. 42 vjeçari Shkëlzen Kastrati, mbeti viktimë e një atentati mëngjesin e kësaj të hëne rreth orës 10:30 minuta pikërisht në rrethrrotullimin e sheshit, në hyrje të Fierit.

Dyshimet janë se vrasësit e Kastratit të kenë qenë profesionistë dhe me pagesë, dhe pas ngjarjes të jenë strehuar pikërisht në zonën e Niklës, e cila njihet si vendstrehim për disa personazhe të njohur të botës së krimit.

Deri më tani policia ka indicie se në ekzekutimin e Kastratit të kenë marrë pjesë katër persona, dy në njërin prej mjeteve, i cili u dogj pas ngjarjes, dhe dy të tjerë të kenë ndihmuar në largimin nga vendngjarja, pa u pikasur nga ana e Policisë.

Babai i katër fëmijëve mbeti i vrarë në një atentat mafioz në hyrje të qytetit të Fierit në vendin e njohur si, Rotondua e Sheqit ndërsa autori i krimit mbetet ende i paidentifikuar.

Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet, së është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një shtetas nga Patosi i identifikuar si Granit Kasaj.

Por konfliktet dyshohet se janë më të hershme. Ato kanë nisur që rreth vitit 2000, ku më pas janë vrarë 3 të afërm të viktimës së kësaj të hëne, ndërkohë që për zbardhjen e kësaj ngjarje janë duke u marrë dhe hetues nga Tirana.

Klement Kastrati, vëllai i viktimës që u ekzekutua dje, ka qenë gjithashtu i arrestuar nga policia për gjobvënie dhe trafik droge në Belgjikë dhe në Hollandë, ndërsa i ka pasur përplasjet të vazhdueshme me një tjetër personazh të njohur të botës së krimit në Fier, Altin Binjakun.

Artikulli i mëparshëmZënka me Lukaku-n, Zlatan merret në pyetje nga prokuroria Federale
Artikulli i radhësCOVID-19 bën namin/ 13 humbje jete në 24 orët e fundit, ja sa raste të reja…