Bashkëpunëtori që zbuloi ekzekutimet e Durrësit

0

Policia e shtetit ka njoftuar arrestimin e 2 personave të dyshuar si autore të ekzekutimit të Besmir dhe Viktor Haxhia pasditen e së hënës, pranë tregut të makinave në zonën e ShënVlashit në Durrës. Njëri prej tyre është Altin Ndoci, 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe K. A., 22 vjeç, banues në Durrës. Në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, Forcat Speciale “Renea” gjetën armët e zjarrit të përdorura për të kryer krimin ndërsa në fshatin Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta persona në ngjarje.

Policia thotë se vrasja e vëllezërve lidhet edhe me një tjetër vrasje të dyfishtë të ndodhur në 2 mars të këtij viti në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri Dorian Shkoza, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia, 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy personat e arrestuar.

Policia thotë se nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për të aktiviteteve kriminale.

1588325450_ALTINNDOCI.jpg
Altin Ndoci

Mësohet se Altin Ndoci, njëri prej të arrestuarve u shoqërua pasditen e djeshme në Tiranë për kundravajtje, teksa shoku i tij, 22- vjeçari K.A, ishte arrestuar në Durrës dhe madje sipas disa medieve ai ka pranuar autorësinë. Ka qenë dëshmia e këtij të fundit që ka zbardhur krimin dhe vendin ku ishin fshehur armët. Shqiptarja.com raporton se ishin kamerat e sigurisë që fiksuan makinën tip “Toytoa” duke çuar në zbardhjen e ngjarjes.

Policia arriti që të zbardhte edhe personat që udhëtonin me këtë makinë. Sipas të njëjtave burime, nga ekzaminimet ka rezultuar se 2 nga 3 armët janë përdorur te vrasja e fundit e vëllezërve Haxhia, ndërsa po ekzaminohet edhe e treta, që u gjet.

Ndërkohë që shenjat e gishtave dhe gjurmë të tjera kanë faktuar përfshirjen e dy të arrestuarve. Altin Ndoci ka mohuar përfshirjen në krim në dëshminë e parë në grupin hetimor, por rrëfimi i shokut të tij dhe provat e tjera janë kundër tij.

Sipas Policisë së Shtetit, Altin Ndoci dhe K.A. ekzekutuan me armë zjarri edhe Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdinë në datë 2 mars. Balkanweb shkruan se raporton se vrasjet kane ardhur si pasojë e prishjes së pazareve të drogës me një grup kriminal.

Vëllezërit Haxhia ishin bashkëpunëtorë me Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdian të cilët sillnin drogën nga jashtë për ta shpërndarë në brendësi të vendit. Mësohet se ky grup kriminal nga Shkozeti ka qenë nën vëzhgim nga policia prej ditës së vrasjes dhe mjaftoi 22- vjeçari i arrestuar që të dilnin autorët.

Artikulli i mëparshëmCovid-19/ Rëndohet bilanci, në Britani 739 viktima. Greqia nuk raporton asnjë viktimë
Artikulli i radhësShkon mbi 3.3 milionë numri i të infektuarve nga koronavirusi në të gjithë botën