Kreu i NATO-s: Dyert e aleancës janë të hapura për Ukrainën

0

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se dyert e aleancës janë të hapura, por se Ukraina duhet të zbatojë reformat.

“Sa më e suksesshme të jetë Ukraina në zbatimin e reformave, aq më shpejt mund të arrijë anëtarësimin në NATO”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për media pas takimit të tij me kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal.

Stoltenberg theksoi se “dera e NATO-s mbetet e hapur”, duke shtuar se udhëheqësit e NATO-s do të diskutojnë mbi politikën e zgjerimit të aleancës ushtarake gjatë takimit të tyre në Bruksel.

Ai po ashtu njoftoi se NATO ka rritur praninë e saj mbi Detin e Zi me tre anije detare amerikane dhe me patrullim ajror, sepse siç tha ai, “ne e dimë rëndësinë e saj të madhe strategjike për aleatët dhe Ukrainën”.

Stoltenberg theksoi se NATO në vazhdimësi ka rregulluar praninë e saj mbi Detin e Zi në mënyrë që “ajo të mos dominohej nga një vend, Rusia”. 

I pyetur në lidhje me zhvillimet e fundit në Moskë, Stoltenberg kundërshtoi dënimin e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, si dhe kërkoi lirimin e tij dhe të mbështetësve të tij pa kushte dhe menjëhershëm.

Ai po ashtu kritikoi forcat ruse të sigurisë për “përdorimin e tyre të dhunës në shtypjen e zërave të ligjshëm të opozitës”, si dhe shtoi se vendimi i javës së kaluar mbi opozitarin rus ishte një “shtrembërim i drejtësisë duke shënjestruar viktimën e një sulmi me agjent kimik”.

Një gjykatë në Moskë javën e kaluar dënoi Navalny-n me dy vite e tetë muaj burg për shkelje të lirimit me kusht.

Lideri i opozitës u arrestua në kryeqytetin rus pas kthimit të tij nga Gjermania më 17 janar, ku ai mori trajtim pas helmimit nga një agjent kimik i shkallës ushtarake që i përkiste grupit Novichok.

Artikulli i mëparshëmDrejtoresha e ISHP-së: Po shtohet përhapja e virusit te moshat e reja, 77% e kapaciteteve në spital janë të zëna
Artikulli i radhësKUJDES! Këto janë simptomat e variantit të ri të COVID-19 që po qarkullon edhe në Shqipëri