Gazetari i njohur, Telnis Skuqi, ka dalë ditën e sotme me një deklaratë të fortë, ku thuhet se ka edhe fakte dhe prova për drejtorin e Ujësjellësit të Gjirokastrës, Gentian Llogo. Ky i fundit sipas gazetarit akuzohet për abuzim seksual ndaj një 19-vjeçareje.
Skuqi pretendon në lajmin e tij se drejtori i Ujësjellësit, Gentian Llogo, ka tentuar të përdhunojë një punonjëse të këtij institucioni në Bashkinë e Gjirokastër.
Ngjarja ka ndodhur pas orarit zyrtar të punës, vajza ka lajmëruar të dashurin dhe ky i fundit është konfliktuar fizikisht me Llogon. Skuqi pretendon se ka një video të ngjarjes, ndërsa Llogo e mohon me forcë.
Ditën e sotme ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” gazetari që ka publikuar lajmin, Telnis Skuqi, i cili shprehet se ka një video në lidhje me këtë ngjarje.
Sipas Skuqit, ngjarja ka ndodhur dy javë më parë dhe vetë ai është informuar para 7-ditësha nga një njeri i viktimës.
“Nuk ma lejon etika që të publikoj një lajm, nëse nuk kam një provë. E nëse unë kam një provë, nuk mund të qëndroj pa e publikuar lajmin. Llogo është me precedentë për dhunë seksuale nga vajzave. Nuk dua të shkatërroj dy familje, por ky njeri ka ngacmuar vajzën e një kolegu tonë në vitin 2004. Është dhunuar nga i dashuri, ky ka precedentë. Është denoncuar në atë kohë”, tha gazetari.
Skuqi tregoi se disponon një video, e cila për të është e tmerrshme.
“Në vend që të kërkonte falje, ka përdorur një fjalor rrugaçësh. I dashuri i vajzës i kërkon llogari se çfarë ka ndodhur me të dashurën e tij. Video është 3 minuta. Unë kam hedhur dorezat direkt në ring, unë tani pres reagimin e tyre. Nuk e kam dhënë videon për emisionin tuaj, pasi unë kam mënyrën time të investigimit. Duhet që të reagojë kryetari i Bashkisë. Kam tentuar që të marr reagimin e tyre, por nuk kanë dashur asnjë kontakt me mua”, tha gazetari.
Ky i fundit u shpreh se parimi i tij nuk është që të dëmtojë, por të publikojë fakte.
“Nuk është presion, nuk është në thelbin tim. Skema ime e investigimit nuk ka të bëjë me gjobë, nuk e njoh në karakterin tim. Unë punoj me hap pas hapi. Mos kërkoni gjithçka, se nuk thuhen të gjitha. Unë ruaj identitetin e vajzës dhe të fejuarit të saj. Në video flitet edhe me emra”, tha Skuqi.
Sipas tij, nëse Prokuroria e Gjirokastrës nis një hetim, atëherë do të japë edhe videon si provë.