Sot mbyllet fushata elektorale në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit. Subjektet politike kanë kohë edhe sot të vijojnë fushatën e nisur që në datën 3 shkurt. Fushata ka qenë më e shkurtra në historinë e vendit, pasi partitë kanë pasur vetëm 10 ditë kohë për të shpalosur para qytetarëve programin e tyre qeverisës dhe kandidatët për deputetë. Tubimet e subjekteve politike kanë kaluar të qeta dhe pa incidente.
Sa i takon zbatimit të rregullave të pandemisë, inspektorati në Prishtinë ka vendosur të paktën 11 gjoba për subjektet politike, tri gjoba për Lidhjen Demokratike të Kosovës, tri gjoba për Partinë Demokratike të Kosovës, dy gjoba për Lëvizjen Vetëvendosje, dy gjoba për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe një gjobë për Nismën Socialdemokrate. Lista përfundimtare e votuesve brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka 1 milion e 794 mijë e 862 persona.