Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar, ka marrë fjalën në Forumin për Integrimin, organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të shoqërisë civile, Basha preku çështjet kryesore të integrimit si dhe shpalosi me detaje programin e Partisë Demokratike, të cilin ai u angazhua për ta zbatuar në qeverisjen e tij pas 25 prillit.
Sipas Bashës, 25 prilli nuk është vetëm një moment elektoral, por një udhëkryq ku do të vendoset e ardhmja europiane e Shqipërisë.
“25 prilli nuk është thjesht një garë elektorale, por është dhe një udhëkryq me të cilin do të vendoset nëse Shqipëria do të çojë deri në fund rrugëtimin e saj europian, do ta arrijë destinacionin e saj europian apo do të mbetet në vendnumëro siç ka mbetur këto 8 vite.
Ne do të bëjmë gjithçka për të çuar përpara rrugëtimin europian të Shqipërisë.
8 vite më parë e nisëm rrugëtimin me tre kushte, ndërsa sot nga tre, kjo qeveri dhe ky kryeministër i ka çuar në 15 kushte.
Për shkak të politikave të kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri, shqiptarët po humbin fonde, fermerët po humbin financime, studentët po humbin mundësi, teknologjia e informacionit, inovacioni dhe në tërësi sipërmarrja shqiptare, po kështu po humb oportunitete të jashtëzakonshme”, – tha Basha gjatë bisedës me përfaqësuesit e shoqërisë civile pjesmarrës në këtë forum.
Për kreun e opozitës kjo situatë ka ardhur për shkak se qeveria nuk ka pasur interes integrimin e vendit, por interesat personale. Ndërkohë që u zotua se prioriteti numër një në procesin e integrimit do të jetë hapja reale e negociatave.
“Këtu kemi të bëjmë me një shpërfillje totale, jo thjesht të interesit për ta futur Shqipërinë në BE për të avancuar në rrugën drejt BE, por një shpërfillje totale dhe një lënie pas dore të interesave elementare të shqiptarëve vetëm për hir të interesave personale, apo të një grushti njerëzish.
Angazhimi im është që brenda 6 muajve të parë ne do të bëjmë realitet Konferencën Ndërqeveritare dhe do të nisim realisht procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Për ne, për Partinë Demokratike, për mua, Shqipëria europiane fillon me qeverisjen e mirë. Zbatimi do të jetë fjala kyçe e reformave të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Unë dhe Partia Demokratike vijmë nga një trashëgimi bindëse në zbatimin e reformave që kanë sjellë ndryshime rrënjësore dhe që kanë lënë gjurmë të prekshme për qytetarët shqiptarë.
Liberalizimi i vizave në 2 vite e gjysmë, sepse u përmbushën 150 kushte që lidheshin me fushat kyç. Shqipëria në këto 8 vite ka ngecur në vend dhe në fakt “ka ngecur në vend”. Sot kryeson listën e vendeve që kërkojnë strehim në Europë, bashkë me Sirinë, Irakun dhe Afganistanin”, – deklaroi Basha duke shprehur qartë angazhimin kyresor të qeverisë së tij sa i përket anëtarësimit në BE.