Dhjetëra policë spanjollë mësynë një universitet të martën dhe arrestuan një reper i cili mbrohej brenda tij pasi qe dënuar me burg me akuzën e glorifikimit të terrorizmit dhe fyerjes së mbretërisë në këngët e tij.
Pablo Hasel kishte afat deri të premten që shkoi për t’u dorëzuar në Polici për të vuajtur një burgim prej nëntë muajsh, vendim i dhënë më 2018. Dënimi shkaktoi trazira në Spanjë dhe bëri që qeveria të njoftojë se do t’i bënte ligjet e fjalës së lirë më pak kufizuese.
Reperi u strehua të hënën në universitetin Lleida në Spanjën verilindore bashkë me një grup mbështetësish. Ata u përplasën me policinë të martën në mëngjes, duke i hedhur karrige dhe zbrazur bombolat për fikjen e zjarrit, para se oficerët e armatosur dhe me skafandra ta kapnin Hasel.
I njohur për pikëpamjet e tij radikale të majta, Hasel u dënua për tekstet dhe mesazhet në Twitter ku përmendte edhe grupin paramilitar separatist bask ETA, ku i krahasonte gjykatësit spanjollë me nazistët dhe e quante deri edhe ish-mbretin Juan Carlos si një bos të mafias.
“Fitorja do të jetë e jona … Nuk do të ketë asnjë harresë dhe asnjë falje,” bërtiti ai me grushtin lart ndërkohë që ishte rrethuar nga Policia dhe po çohej në burg. Vetëm disa orë më parë i kishte ripublikuar tekstet për të cilat ishte dënuar.
“Mesazhet në Twitter do të më burgosin për disa minuta ose orë” shtoi ai në një mesazh për 125,000 ndjekësit e tij. “Po nesër mund të jesh ti.”
Më shumë se 200 artistë, përfshirë regjisorin e filmit Pedro Almodovar, aktorin Javier Bardem dhe këngëtarin Joan Manuel Serrat, nënshkruan një peticion kundër burgosjes së Hasel.
Qeveria e majtë e Spanjës tha javën e kaluar në përgjigje të rastit se do të reformonte ligjin e miratuar në 2015 nga një administratë e mëparshme, që parandalon glorifikimin e grupeve të armatosura të ndaluara si ETA dhe ndalon fyerjet ndaj feve ose monarkisë.
Qeveria tha se reforma do të fuste dënime më të buta dhe do të shënjestronte vetëm akte që gjeneronin rrezik për rendin publik ose provokonin sjellje të dhunshme.
Grupi paramilitar bask ETA e ka njoftuar shpërbërjen e tij në 2018, pas një fushate prej katër dekadash dhunë, që përfundoi në 2010.