Gazetari, Telnis Skuqi, ka publikuar një video ku drejtuesi i televizionit lokal “ALPO RTV”, Aristotel Petro, shfaqej teksa prekte në zona intime një vajzë të mitur.
Ditën e djeshme në emisionin “Shqipëria Live”, Petro pranoi se ai ishte në video, por hodhi poshtë se ka ngacmuar seksualisht vajzën në fjalë. Sipas tij, e gjitha ka qenë një kurth.
Petro edhe sot hodhi poshtë në mënyrë kategorike se ka ngacmuar vajzën, madje u shpreh se ka video të tjera më të forta, ku ajo vajzë ngacmohej seksualisht nga të tjerë.
Ndërkohë gazetari që ka publikuar videon në fjalë, Telnis Skuqi, u shpreh se është vetë “drejtuesi i televizionit lokal “ALPO RTV” që i xhiron videot.
“Ai vetë i ka xhiruar videot. Prandaj them që të bllokohen të gjitha xhirimet e kamerave të zyrës së tij. Prindërit e vajzave që janë në videot e tjera nuk pranojnë që të bëhen publike. Gjirokastra është qytet i vogël, kanë frikë”, tha Skuqi.
Gazetari u shpreh se është shumë i sigurt në ato që thotë, pasi ky është një investigim shumë i gjatë.
“Jam i gatshëm që t’ia jap Prokurorisë të gjitha videot që kam, nëse mi kërkon”, përfundoi gazetari.