COVID-19/ Lehtësimet që nisin nga kjo e hënë

0

Nga dita e sotme, hartës së vendit i shtohen zonat e gjelbra si dhe do të lejohet udhëtimi ndërqytetës me taksi. Ndryshime ka edhe në lidhje me të riatdhesuarit.

Nga 4 maji, vendit i janë shtuar edhe 18 zona të tjera të gjelbra konkretisht Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vjagurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë, Selenicë.

Gjithashtu nga kjo javë do të ketë lehtësime të udhëtimit me taksi, ku tashmë lëvizja do të jetë dhe ndërqytetëse në të gjithë vendin dhe nga 1 pasagjer mund të mbahen 2, por gjithmonë anëtarë të një familje.

Në lidhje me të riatdhesuar ka ndodhur një ndryshim, ku ata që jetojnë në zonat e kuqe do të vetëkarantinohen në banesën e tyre dhe jo në hotelet karantinë.

Ndërsa pjesa tjetër që banon në zonat e gjelbra do të qëndrojë në hotel karantinë për 14 ditë.

Këto lehtësime do të pasohen me të tjera në dy javët ne vijim, ndërsa kryeministri Edi Rama tha ditën e djeshme se ” do të ketë lehtësime të vazhdueshme në vijim, por mbetet meraku i madh i sjelljes individuale sipas rregullave të mbrojtjes së shëndetit për veten, familjen, shoqërinë”.

Po çfarë pritet të ndodh gjatë javëve në vijim? Më 11 maj është paralajmëruar hapja e disa bizneseve duke respektuar protokollin mjekësor për të mos u kthyer vatër infeksioni. Pjesë e kësaj kategorie do të jenë berberët dhe parukeritë, do të hapen pjesërisht edhe qendrat tregtare ku do të lejohet hapja e disa dyqaneve brenda tyre. Këto biznese do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në fashën e orarit 05:00 e mëngjesit dhe deri në orën 17:30 të pasdites si dhe duhet të respektojnë një protokoll specifik masash sigurie për të parandaluar përhapjen e koronavirusit

Më 18 maj pritet që lehtësimet të jenë më të mëdha ku do të hapen baret dhe restorantet vetëm në ambientet e jashtme të tyre, ndërsa në ambientet e brendshme shërbimi do të jetë i ndaluar. Hapja e tyre do parashikohet të shoqërohet me rregulla specifike të ruajtjes së distancës nga tavolina në tavolinë si dhe mes klientëve për të siguruar mbrojtjen maksimale. Gjithashtu gjatë kësaj jave pritet të shtohen riatdhesimet.

Artikulli i mëparshëmVideo-skandali/ Kush i futi duart vajzës Sandri apo polici?
Artikulli i radhësDosja Tahiri/ Ja kush do gjykojë ish-ministrin e brendshëm dhe Jaeld Çelën pas refuzimit të kërkesës për përjashtimin e trupës gjykuese