Madhësia e tekstit:
Presidenti Ilir Meta kujton Ditën Botërore të Ujit, ku në një mesazh në “Facebook” inkurajon të gjithë shqiptarët të solidarizohen me kauzën e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar.
Kreu i Shtetit thekson se Vjosa ka një rëndësi mbarë europiane dhe për këtë arsye “i nxis të gjitha autoritetet e larta të BE të përkrahin fuqimisht kauzën, që na përket të gjithëve”.
“Me rastin e Ditës Botërore të Ujit, i inkurajoj të gjithë shqiptarët të solidarizohen me kauzën e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, në të gjithë gjatësinë e lumit.
Është përgjegjësia jonë të mbrojmë këtë trashëgimi të vyer natyrore kombëtare dhe europiane nga çdo projekt shkatërrimtar dhe abuzues.
Thellësisht mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm të aktivistëve mjedisorë, shkencëtarëve dhe akademikëve vendas e të huaj, që i kanë dhënë forcë zërit të komunitetit duke shfaqur në Tiranë 🇦🇱, por edhe në kryeqytetet më të rëndësishme të Europës 🇪🇺, në Bruksel 🇧🇪, Berlin 🇩🇪 dhe Paris 🇫🇷 thirrjen që buçet nga lumi: VJOSA PARK KOMBËTAR TANI!
Vjosa ka një rëndësi mbarë europiane. Ndaj duke risjellë në vëmendje edhe rezolutën e Parlamentit Europian për shpalljen e saj Park Kombëtar, i nxis të gjitha autoritetet e larta të BE të përkrahin fuqimisht kauzën, që na përket të gjithëve.
E DUAM VJOSËN DHE DO TA MBROJMË! 🇦🇱🇪🇺”, shkruan Meta.