Një 27-vjeçar është arrestuar për 3 vjedhje në Tiranë. T.S, me banim në Laç kërcënonte qytetarët në pjesë të ndryshme të kryeqytetit me thikë, dhe u merrte paratë apo sendet me vlerë.
Ai u kap në flagrancë në bulevardin ‘’Gjergj Fishta’’, teksa rezulton ta ketë përsëritur dy herë më parë këtë skemë.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Tiranë
Vidhte me dhunë nëpërmjet kanosjes me thikë, qytetarët në vende të ndryshme të Tiranës, vihet në pranga 27-vjeçari me precedent penal të mëparshëm në fushën e vjedhjes.
Zbardhen dhe dokumentohen 3 raste të vjedhjes me dhunë dhe tentativës për vjedhje të sendeve me vlerë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.2 në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponjat” në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit T. S., 27 vjeç, banues në Laç.
Ky shtetas është kapur në flagrancë nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, mbrëmjen e djeshme, në bulevardin “Gjergj Fishta” duke tentuar të vjedhë me dhunë sendet me vlerë një shtetaseje.
Nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se ky shtetas dyshohet se është autor edhe i dy ngjarjeve konkretisht :
I vjedhjes me dhunë nën kërcënimin e thikës të një shume parash dhe disa sendeve me vlerë të shtetases E. I;
Dhe tentativës së vjedhjes së sendeve me vlerë të shtetases M. H.
Materialet në ngarkim të shtetasit T. S. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.