Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i është bashkuar thirrjes së aktivistëve dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për të shpallur lumin Vjosa, Park Kombëtar.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Kurti analizon arsyet përse mbështet këtë thirrje, ndërsa thekson se Vjosa lumi që lidh Shqipërinë me Europën është pasuri e trashëgimi jo vetëm kombëtare, por edhe europiane.
“Kanione të mrekullueshme, rrjedha të vrullshme e të papengueshme, ekosistem unik dhe 1,100 speciet që strehohen në të e bëjnë Vjosën lumin më të veçantë në Evropë.
Pavarësisht kërkesave të banorëve, angazhimit të aktivistëve dhe rezolutës së Parlamentit Evropian për të shpallur Vjosën park kombëtar akoma nuk është bërë asgjë.
Vjosa mbetet lumi i fundit i “egër” në kontinentin e Evropës i cili është i paprekur nga dora e njeriut dhe duhet të mbetet i tillë”, shkruan Kurti.
Ai gjithashtu thekson se Shqipëria dhe Kosova duhet të mbrojnë pasuritë natyre që kanë mbetur pa lejuar degradimin e tyre.
“Tani është momenti që bashkë në Kosovë e në Shqipëri të mbrojmë ato pasuri natyrore që kanë mbetur pa u prekur e dëmtuar e t’i restaurojmë e rikthejmë ato që tashmë na i kanë degraduar”, thotë lideri i VV.
Reagimi i plotë:
Sot në Ditën Botërore të Ujit i bashkohem thirrjes së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, aktivistëve lokal dhe ndërkombëtar, kandidatëve për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 25 prillit dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që Qeveria e Shqipërisë të shpall lumin Vjosa Park Kombëtar dhe të heq dorë nga të gjitha planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.
Vjosa, lumi që lidh Shqipërinë me Evropën, është pasuri e trashëgimi jo vetëm kombëtare por edhe evropiane. Kanione të mrekullueshme, rrjedha të vrullshme e të papengueshme, ekosistem unik dhe 1,100 speciet që strehohen në të e bëjnë Vjosën lumin më të veçantë në Evropë.
Pavarësisht kërkesave të banorëve, angazhimit të aktivistëve dhe rezolutës së Parlamentit Evropian për të shpallur Vjosën park kombëtar akoma nuk është bërë asgjë.
Vjosa mbetet lumi i fundit i “egër” në kontinentin e Evropës i cili është i paprekur nga dora e njeriut dhe duhet të mbetet i tillë.
Njëjtë sikurse në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë qeveritë, pavarësisht kundërshtimeve publike e protestave të banorëve, kanë bërë presion të vazhdueshëm për ndërtim të hidrocentraleve. Në shpërputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, qeveritë në Kosovë kanë mundësuar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla duke prishur burimin e lumenjve ekzistues.
Investime të tilla afatshkurtra për përfitime të shpejta materiale individuale, pa llogaritur fare dëmet afatgjate ekologjike dhe ndikimet negative në mirëqenien e komuniteteve, nuk do të bëhen më.
Tani është momenti që bashkë në Kosovë e në Shqipëri të mbrojmë ato pasuri natyrore që kanë mbetur pa u prekur e dëmtuar e t’i restaurojmë e rikthejmë ato që tashmë na i kanë degraduar.