Ish-ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, komentoi mbrëmjen e djeshme sesi po menaxhohet situata e pandemisë në vendin tonë. Nga emisioni ‘Të paekspozuarit’, Solis tha se një pjesë e mjekëve u vunë në shërbim politik dhe merrnin urdhër nga partia.
“Janë thellësisht të politizuar, një garnizon që marrin urdhra dhe japin urdhra. Po të isha trajner do t’i nxirrja të gjithë me të kuqe, përveç Silva Binon dhe dy-tre shkencëtare dhe Eugenën, të tjerët janë të politizuar.
Janë të bindur. Kur kam qenë ministër nuk kam detyruar asnjë doktor të shprehet për bindje partiake. Armiku jonë ka qenë sëmundja. Tani janë skuqur, janë bërë blu, janë bërë garnizone, marrin urdhra nga partia. Edhe Najada, jashtëzakonisht turp, për të gjitha që ka bërë, që vihet në rresht, që i vë doktorët në rresht. I ka ndarë flokët mu në mes, doktor majtas doktor djathtas.
Armiku jonë është Covidi dhe duhet ta luftonim të gjithë bashkë, jo të politizohemi dhe jo duke u vendosur në rresht. Është më mirë Sanatoriumi, se sa Infektivi, që u bë një detashment i Rilindjes”, tha Solis.
Gjithashtu ai foli edhe për situatën e vështirë të pandemisë gjatë shkurtit të këtij viti dhe a duhej izoluar vendi.
“Në shkurt ne kemi pasur një situatë të tmerrshme. Termometri vendoset pranë krevateve të spitaleve Covid. Nëse aty ndodh përmbytja, atëherë epidemiologët duhet të shtrëngojnë rubinetat, që të mos ketë atë lloj prurje, sepse nuk ka kujdes.
Për këtë qeveri, do të thosha, që kjo qeveri, sikur ta qajë me lot pandeminë, ka bërë aq budalliqe dhe është qeveria më e keqe në këto 30 vjet, edhe pa pandeminë.
Unë kam qenë Ministër i Shëndetësisë dhe Mjedisit, kur mjedisi nuk ishte sensibilizuar në atë kohë situate. Tani ministria më e rëndësishme është ministria e Punëve Sociale. 40% e popullit shqiptar rron me 5 dollarë në ditë.
Ministres Manastirliu ia kanë lënë si aneks. Unë po të them, po ti vësh dy kunguj në sqetull është e frikshme. U fol që do të bëhej reformë nga fondi i sigurimeve shoqërore, 12 veta janë hequr, që nuk e njohin njëri tjetrin, nuk dinë as programin çfarë ka thënë Rilindja dhe pret të bëhet rimbursimi.
Infermierët në spitalin ku punon, i zgjedh katër herë më me kujdes sa i zgjedh kryeministri dhe ministrja drejtorët kryesorë. Nëse do ta menaxhosh shumë mirë, me një ministër që ka dy ministri dhe shumë pak doktorë, problemet sociale në Shqipëri janë të frikshme”, tha Solis.