Një protestë në heshtje e 65 kontrollorëve të ‘AlbControl’ rrezikon që të bllokojë punën në aeroportin e Rinasit. Sipas asaj që raporton BalkanWeb, punonjësit kanë firmosur deklaratën e paaftësisë së përkohshme për shkak të stresit të vazhdueshëm që kanë në punë, ndikuar edhe nga pandemia. Mësohet se në total AlbControl ka 69 kontrollorë; 37 punonjës aktivë, 18 në kullë dhe shefi i kullës si dhe 13 janë pjesë të administratës.
“Kemi qenë 5 punonjës që kemi plotësuar deklaratën e paaftësisë për punë. Pasi e kemi plotësuar, jemi telefonuar që të rikthehemi sërish në punë. Për 3 nga punonjësit u dha verbalisht pushim nga puna, ndërsa për 2 të tjerë erdhi shkresa zyrtare. Nga ana procedurale në rast se një punëtor është i paaftë për punë nuk duhet të paraqitet në punë” – u shpreh një prej punonjësve të Albcontrol.
Mes të tjerash punonjësja e ‘AlbControl’ u shpreh se të gjithë kontrollorët janë të bashkuar dhe të vendosur që t’i shkojnë kësaj çështje deri në fund.
Po ashtu mësohet se aktualisht në aeroportin ‘Nënë Tereza’ janë duke punuar 5 kontrollorë administrate dhe një shef kulle, ndërkohë që këtij të fundit me ligj i takon 2 orë punë dhe një orë pushim. Pezullimi i punës nga punëtorët rrezikon të paralizojë punën në aeroport, duke bërë që mëngjesin e së mërkurës në pistën shqiptare mos të ulet asnjë avion. Kjo është hera e parë që ndodh një protestë nga kontrollorët e ‘AlbControl’ dhe ende nuk dihen pasojat që do të ketë kjo grevë. /BW