Respiratorët – shpëtim apo vetëm zgjatje e agonisë?

0

Deri më tani në diskutimet lidhur me përkujdesjen shëndetësore të pacientëve të sëmurë rëndë nga koronavirusi, fokusi i vetëm ka qenë te numri i respiratorëve. Por a mund të shkaktojë kjo mënyrë e trajtimit intensiv më shumë dëm, sesa dobi te personat e moshuar?

Thuhet se shanset për të mbijetuar terapitë intensive me respiratorë janë për ta shumë të vogla. Rreth 90 për qind e personave të moshuar, të cilët mbijetojnë në këtë terapi, vdesin pas një kohe të shkurtër apo mbesin me pasoja të rënda në ndonjë mënyrë ose tjetrën. Studimet kanë treguar se njerëzit në moshë apo ata që vuajtur më parë nga ndonjë sëmundje tjetër e rëndë, e refuzojnë trajtimin me respiratorë. Shumica prej tyre thonë se do të ishin “më mirë të vdekur, sesa të hendikepuar”, ka thënë Mihael Telen, drejtor i një qendre për të moshuarit në Gjermani.

Shumica e të sëmurëve të rëndë s’e mbijetojnë trajtimin

Faktet tregojnë se shumica e pacientëve të sëmurë rëndë më koronavirusin nuk mbijetojnë edhe pas trajtimit me respiratorë.

Asociacioni gjerman për Pneumologji dhe Mjekësi Respirative e citon një studim të bërë në Britani të Madhe, i cili tregon se me respiratorët mund të shpëtojnë jetët e vetëm një prej tre pacientëve të sëmurë rëndë. Andaj, disa mjekë thonë se është më mirë që të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera shoqëruese të trajtohen me mjete të mjekësisë paliative, në mënyrë që të patën të mund të vdesin të rrethuar nga familja dhe të afërmit.

Mjeku, Tomas Tens, specialist për mjekësinë, thotë se këtë rrugë e kanë zgjedhur shumica e të sëmurëve që kanë vdekur nga sëmundje të tjera të mushkërive.

“Pse do të ishte ndryshe me sëmundjen e COVID-19? Pos kësaj, shanset e mbijetesës nga koronavirusi janë edhe më të ulëta sesa nga sëmundjet e tjera të sistemit të frymëmarrjes”, shton ai.

“Fiksimi në aparate”

Shoqata e Mjekësisë Paliative në krahinat e Rajnës Veriore dhe asaj të Vestfalit në Gjermani është shprehur e shqetësuar se në këto momente nuk janë duke u përdorur metodat e mjekësisë paliative te pacientët e sëmurë rëndë dhe te ata të moshuar.

“Në këto situata kam vërejtur fiksim të madh pas aparateve”, ka thënë kryetarja e kësaj shoqate, Ulrike Hervald. Ajo druan se furnizimi i madh me respiratorë dhe situata stresuese mund t’i çojë shumë punonjës mjekësorë në automatizëm.

Lukas Radbruh, drejtor i Klinikës për Mjekësi Paliative në Bon të Gjermanisë, këtë çështje e sheh ndryshe.

“Debati në këto momente është duke shkuar në drejtim të gabuar”, mendon ai. Sidoqoftë pranon se ka situata kur shanset e trajtimit intensiv janë aq të ulëta saqë ndonjëherë është më mirë që pacienti të trajtohet në mënyrë paliative. “Por nuk mund të them se njerëzit e moshuar më përpara dëshirojnë të vdesin, sesa të trajtohen në njësitë e përkujdesjes intensive”./DW

Artikulli i mëparshëmVaksina për koronavirusin, 8 kandidatë në garë por ekspertët janë të shqetësuar…
Artikulli i radhësEpidemiologu: Hapja nuk do të sjellë shumëfishim të rasteve